Turqia është një partner i besueshëm dhe strategjik për NATO-n dhe kontribuon në aleancë jo vetëm nëpërmjet shtrirjes së saj strategjike, por edhe nëpërmjet zhvillimit të aftësive dhe inovacioneve teknologjike, ka deklaruar presidenti i Sekretariatit të Industrive të Mbrojtjes të vendit (SSB).
“Edhe përpara anëtarësimit në NATO, Turqia ka qenë pjesë e mbrojtjes evropiane që nga Kongresi i Vjenës në 1815”, tha Haluk Gorgun pas miratimit të Veprimit të Sigurisë për Evropën (SAFE).
Bëhet e ditur se Këshilli i Bashkimit Evropian miratoi një rregullore që krijon SAFE, i cili është një instrument i ri financiar me vlerë 150 miliardë euro për unionin që do të mbështesë ato shtete anëtare që dëshirojnë të investojnë në industrinë e mbrojtjes.
Duke prekur suksesin e eksporteve të vendit në industrinë e mbrojtjes, presidenti tha: “Turqia ka kaluar një prag të rëndësishëm duke arritur 7 miliardë dollarë në eksportet e mbrojtjes dhe të hapësirës ajrore në 2024”.
“Sot, dua të them me krenari se industria turke e mbrojtjes është eksportuesi i 11-të më i madh në botë dhe se afërsisht 75% e sistemeve që ne prodhojmë, duke përfshirë dërgesat në Forcat e Armatosura Turke, përdoren nga forcat e NATO-s”, tha Gorgun.
Ai shtoi se aftësitë prodhuese të Turqisë i shërbejnë jo vetëm mbrojtjes kombëtare, por edhe vendeve aleate me zgjidhje të qëndrueshme në përputhje me standardet e NATO-s, shkruan AA, përcjell Telegrafi.
“Ne jemi gati t’i shërbejmë NATO-s me kapacitetin tonë prodhues”, deklaroi ai.
Duke theksuar se Turqia ka bashkëpunim në industrinë e mbrojtjes jo vetëm në kuadrin e NATO-s, por edhe me vendet evropiane në nivel dypalësh, ai kujtoi se Turqia ka marrë pjesë në prodhimin e aeroplanit transportues A400M.
“Duke marrë parasysh statusin tonë si vend kandidat i BE-së, ne shpresojmë që instrumenti SAFE do të thellojë më tej bashkëpunimin e industrisë së mbrojtjes midis BE-së dhe vendit tonë”, tha ai.
Ndryshe, kreu i SSB tha se përgatitjet për samitin e NATO-s, të cilin Turqia do ta presë në vitin 2026, po vazhdojnë me përpikëri.
“Ne besojmë se ky samit është i një rëndësie strategjike si për t’i treguar botës lidhjet tona të forta me NATO-n dhe për të demonstruar nivelin tonë të zhvillimit në industrinë tonë të mbrojtjes.”