Turqia ka angazhuar një firmë ligjore me bazë në Uashington për të lobuar për ripranimin e vendit në programin amerikan për aeroplanët luftarakë F-35, pasi u përjashtua shkaku i blerjes së sistemit raketor rus, S-400.
Ankaraja ka porositur më shumë se 100 aeroplanë luftarakë dhe është duke prodhuar pjesë të tyre, por në vitin 2019 u përjashtua nga ky program pasi bleu sisteme ruse për mbrojtje ajrore, S-400, për të cilat Shtetet e Bashkuara thanë se paraqesin kërcënim për aeroplanët F-35.
Turqia e angazhoi firmën ligjore “Arnold & Porter” për këshilla strategjike ndaj autoriteteve amerikane. Kontrata është gjashtëmujore dhe e ka vlerën e 750.000 dollarëve. Zbatimi i saj do të nisë këtë muaj, shkruan Reuters, transmeton Gazeta Express.
Autoritetet turke kanë thënë se përjashtimi i Turqisë nga programi për aeroplanët luftarakë ka qenë i padrejtë. Presidenti turk, Rexhep Erdogan, ka thënë se shpreson për zhvillime pozitive gjatë mandatit të homologut të ri amerikan, Joe Biden.
Kontrata me kompaninë amerikane u nënshkrua nga Presidenca Turke e Industrive të Mbrojtjes, që është autoriteti kryesor i industrisë së mbrojtjes në Turqi.
Në anën tjetër, pavarësisht largimit të Turqisë nga programi dhe pavarësisht sanksioneve amerikane kundër industrisë turke të mbrojtjes, Pentagoni ka thënë se do të vazhdojë të mbështetet në kontraktorët turq për prodhimin e pjesëve të aeroplanëve F-35.