Transmetuesi publik turk në gjuhën shqipe, TRT, i ka bërë jehonë futjes së gjuhës turke në të gjitha shkollat e Shqipërisë.
“Menjëherë pas vizitës së Presidentit turk, Rexhep Taip Erdogan në Shqipëri, shkollat po vlerësojnë kërkesat për të mësuar gjuhën turke si lëndë me zgjedhje të lirë. Shkollat 9-vjeçare kanë nisur të pyesin prindërit e nxënësve të klasave të 6-ta deri në klasën e 9-të në lidhje me vendosjen ose jo të gjuhës turke si lëndë me zgjedhje”, raporton TRT.
TRT thekson se në një email drejtoria rajonale arsimore Tiranë kërkon informacion të plotë nga shkollat për numrin e kërkesave të nxënësve për të mësuar gjuhen turke si gjuhë e huaj, pjesë e kurrikulës me zgjedhje pasi nxënësit të aprovohen në secilën klasë referuar planit kombëtar të arsimit 9-të vjeçar për nxënësit e klasave të 6-ta deri tek klasat e 9-ta.
Mësueset kujdestare kanë dërguar tek prindërit javën që kaloi mesazhe, ku kërkohet të mblidhen të dhënat mbi preferencat për gjuhën turke.
Ndërsa, në Fletoren Zyrtare është publikuar në datën 2 mars 2021 marrëveshja mes dy vendeve, e cila parashikon futjen e gjuhës turke në shkollat shqipe si lëndë e një gjuhë të huaj me zgjedhje të lirë, me qëllim një programi pilot në gjuhën turke.