Kompania Twitter tha se edhe nëse punonjësit do të duan të kthehen në zyrë nuk ka gjasa ta bëjnë këtë të paktën deri në shtator dhe rihapja do të jetë “e kujdesshme”.
Twitter do t’i lejojë punonjësit e tij të punojnë nga shtëpia “përgjithmonë”, tha drejtori ekzekutiv Jack Dorsey të martën. Një zëdhënës nga Twitter konfirmoi vendimin për The Guardian, duke thënë se kompania ishte “një nga kompanitë e para që lejoi punën nga shtëpia” për shkak të Covid-19.
“Ne ishim të pozicionuar në mënyrë unike për t’u përgjigjur shpejt dhe lejuar që njerëzit të punojnë nga shtëpia duke pasur parasysh theksin tonë në decentralizimin dhe mbështetjen e një fuqie punëtore të shpërndarë dhe të aftë për të punuar nga kudo.”
Nëse punonjësit tanë janë në një rol dhe situatë që u mundëson atyre të punojnë nga shtëpia dhe ata duan të vazhdojnë të punojnë kështu përgjithmonë, ne do ta lejojmë.
Punonjësit që preferojnë të punojnë nga distanca, tani mund ta bëjnë këtë pafundësisht. Ata që duan të kthehen në zyrë, ndoshta do të duhet të presin të paktën deri në shtator. “Kur ne të vendosim të hapim zyrat, nuk do të jetë një kthim në mënyrën si ishte më parë,” tha kompania. “Do të jetë një kthim i kujdesshëm dhe gradual.” Ndryshimi vjen pasi kompanitë në të gjithë industrinë e teknologjisë po mendojnë sesi të menaxhojnë zyrat e tyre në muajt e ardhshëm. Google dhe Facebook zgjeruan politikat e tyre të punës nga shtëpia. Amazon zgjati politikën e saj të punës nga shtëpia të paktën deri në fillim të tetorit.
Në Kaliforni që nga 1 marsi ka pasur gati 70,000 raste me koronavirus, dhe 2,847 vdekje. Nga këto 70,000 raste, 1.974 kanë ndodhur në San Francisko, ku ndodhen zyrat e Twitter. The Guardian