Zyrtarja e AKSHI-t Erisa Fero, 32-vjeçari Likë Basha dhe një 17-vjeçar, të arrestuar për trafikun e 58 kilogramëve kanabis nga Tirana në Maqedoninë e Veriut u lanë në burg pa afat nga Gjykata e Pogradecit.
Ata kërkuan ndryshim të masës së sigurisë, teksa Prokuroria vazhdimin e masës së arrestit për shkak të hetimeve të tjera.
32-vjeçari Basha ishte i pari që u arrestua. Në momentin e ndërhyrjes pranë zonës së Linit në Pogradec ai ishte pranë makinës tip “Volkswagen”, ku pas kontrollit në bagazh u gjet edhe sasia e lëndës narkotike, e cila ishte e ndarë në 51 pako, të shënuara me pikë dhe kryq blu.
Për shkak të shenjave, hetuesit dyshojnë se kanabisi kishte dy blerës dhe informacionet janë se lënda është kultivuar në Shkodër.
Në kërkim për këtë rast trafiku janë shpallur edhe dy persona të tjerë që do merrnin drogën në Qafë Thanë, për t’ia dërguar blerësve në Maqedoninë e Veriut.