Danika Mason, një nga gazetarët më të njohur sportivë në Australi, kërkoi falje pasi një video e saj duke raportuar në mënyrë të ngatërruar gjatë Lojërave Dimërore Olimpike në Itali u bë viral, duke tërhequr madje edhe komentet e kryeministrit australian.
Gazetarja e Channel Nine pranoi se kishte bërë “gabim të madh” duke konsumuar alkool para lidhjes së saj live në televizion, duke shtuar se lartësia, të ftohtit dhe mungesa e darkës e kishin ndihmuar në këtë situatë.
“Dua të marr përgjegjësi të plotë, nuk është standardi që unë vendos për veten,” tha Mason gjatë një paraqitjeje të mëvonshme, duke shtuar se ndihej “e turpëruar”.
Kryeministri Anthony Albanese mbrojti gazetaren, duke deklaruar se ishte “pro-Danika” dhe se nuk kishte asgjë për t’u shqetësuar, duke sugjeruar se mund të ishte e ndikuar nga lodhja e udhëtimit.
Gjatë raportimit të saj live, Mason ngatërronte fjalët dhe fliste për iguana dhe çmimin e kafesë ndërsa raportonte për ngjarjet sportive të ditës. “Në fakt, çmimi i kafesë këtu është i pranueshëm, më shumë duhet të mësohemi me çmimin e kafesë në SHBA. Nuk jam e sigurt për iguanat, ku po shkojmë me këtë temë?” tha ajo, duke iu përgjigjur komentimeve të prezantuesve në studio.
Videoja shkaktoi reagime të përziera në rrjetet sociale. Disa përdorues e mbështetën Mason, duke thënë se po e shijonte punën dhe eksperiencën, ndërsa të tjerë kritikuan profesionalizmin e saj, duke kërkuar largimin e saj nga puna.
Mason, e njohur për raportimet mbi National Rugby League, u shfaq përsëri në programin Today të enjten në mëngjes. Ajo falenderoi shikuesit për mesazhet e tyre dhe tha:
“Jam mirë, ndoshta vetëm pak e turpëruar. Vlerësova gabim situatën, nuk duhej të kisha pirë, sidomos në këto kushte, është ftohtë, jemi në lartësi dhe mungesa e darkës ndoshta nuk ndihmoi. Por dua të marr përgjegjësi të plotë, nuk është standardi që vendos për veten. Për këtë, kërkoj sinqerisht falje dhe falenderoj të gjithë për mesazhet që kam marrë.”
Prezantuesja e Today, Jayne Azzopardi, e mbështeti duke thënë: “E dimë sa shumë punon, Danika,” ndërsa Karl Stefanovic e quajti Mason “legjendë”.
Burimi: BBC News


