SPAK ka nisur kërkesë për gjykim për ish-avokatin e shtetit Irgen Kërçukun, i cili ka shpërdoruar detyrën dhe është korruptuar nga Aleksandër Laho, ose i njohur ndryshe si Rrumi i Shijakut.
Pas hetimeve të kryera, SPAK ka dalë në përfundimin se Kërçuku ka marrë 900 mijë lekë për të mos u paraqitur në seancë gjyqësore.
Bëhet fjalë për një pronë në Gjirin e Lalëzit, ku Avokatura e Shtetit e përfaqësuar nga Kërçuku ishte palë e tretë në këtë proces. Kërçuku në këtë gjyq nuk mbrojti interesat e shtetit, por u bë palë me krimin.
E gjitha u zbulua pas atentatit të ndodhur ndaj prokurorit Arjan Ndoja, i cili ndodhej në makinë pikërisht me “Rrumin e Shijakut” ku iu gjet në celular një audio përgjim ku bisedonte me Kërçukun për ryshfetin. Për llogari të këtij hetimit janë sekuestruar dy sipërfaqe toke, plot 403 mijë m2 në total në Gjirin e Lalëzit.
“I pandehuri Aleksandër Laho në bashkëpunim me persona të tjerë i ka dhënë një përfitim të parregullt në vlerën 900 000 (nëntëqind mijë) lekë, avokatit të shtetit në zyrën vendore Durrës, të pandehurit Irgen Kërçukut, për atë personalisht, me qëllim për të kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij, konkretisht për të mos marrë pjesë në procesin gjyqësor me palë ndërgjyqëse paditës Pal Seçuni, palë e paditur ZVRPP Durrës dhe palë e tretë Avokatura e Shtetit si dhe për të mos kryer një veprim që lidhet me detyrën e tij konkretisht, për të mos bërë në vijim ankim në Gjykatën e Apelit, për vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës”.
Njoftimi i SPAK
“Rrumi i Shijakut” është një personazh i njohur në botën e krimit. Ai ishte në makinë me prokurorin Arjan Ndoja kur iu bë atentat më 1 nëntorin e vitit 2019, kur iu bë atentat në aksin Durrës-Tiranë. Nga ana tjetër, ai akuzohet si organizator i rrëmbimit të dy vëllezërve Beqiraj në autostradën Tiranë-Durrës, që po planifikonin vrasjen e tij.