Sot është mbajtur faza e parë e garës së inteligjencës “EUREKA 7”, që sfidoi dijen e më shumë se 2000 nxënësve nga mbarë Kosova.
Gara u organizua nga Gjimnazi “Hasan Nahi” në kuadër të Fondacionit për Arsim dhe Kulturë “Atmosfera”, i miratuar dhe të përkrahur nga Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë si dhe drejtoritë komunale të arsimit.
Gara e inteligjencës “EUREKA 7”, sot sfidoi dijen e mbi 2000 nxënësve më të mire nga e gjithë Kosova, të përzgjedhur nga klasat e 9-ta nga 26 komuna të ndryshme të Kosovës.
Në mesin e 2000 nxënësve ku ishin pjesëmarrës në garë do të përzgjidhen 250 finalistë, ku do të garojnë në fazën finale të Garës “EUREKA”, e cila do të mbahet më 21 mars 2019 në ambientin e Gjimnazit “Hasan Nahi” në Prishtinë.
“Qëllimi dhe synimi i organizimit të kësaj gare është që të gjithë bashkërisht të përkrahim brezin e ri të vendit tonë, duke i inkurajuar dhe motivuar për dijen dhe shkencën dhe njëkohësisht duke rritur cilësinë e arsimit, ku llogaritet si investim më i mirë për një të ardhme më të ndritur dhe sigurt për atdheun tonë”, theksoi Feim Hoxha, drejtor i Gjimnazit “Hasan Nahi”.
Rezultatet e fazës së parë të kësaj gare mbarëkombëtare, priten të dalin të mërkurën, ku do të shpallen 250 finalistë.