Detaje të rënda janë zbardhur nga ngjarja e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Korçë, ku një 45-vjeçar u vetëvra duke u hedhur nga pallati.
Mësohet se viktima është astrologu i njohur Jofiel Koço, i cili është hedhur nga kati i 7. Sipas burimeve pranë vendit të ngjarjes, 45-vjeçari u ngjit në tarracën e pallatit ku banonte i vetëm dhe prej andej u hodh, duke rënë fillimisht mbi çatinë e një ndërtese fqinje dhe më pas në asfalt, ku humbi jetën në vend.
Koço, përveç se kishte një aktivitet të vogël tregtar me vajra automjetesh dhe produkte të tjera që shpërndante në dyqanet e qytetit, njihej edhe si astrolog. Ai ishte shpesh i pranishëm në emisione televizive ku interpretonte yjet.
Policia ka nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e kësaj ngjarjeje tragjike, e cila ka tronditur banorët dhe tregtarët e zonës.