Bordi i Transparencës ka vendosur këtë të martë çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Çmimi i naftës nga sot deri në datën 31 mars do të jetë 237 lekë/litri, kurse një liter benzinë do të shitet me 211 lekë.
Ndërkohë kujtojmë se shoqëria civile kishte paralajmëruar një protestë pikërisht këtë të martë, të njëjtën ditë që çmimet u vendosën të ndryshohen, në orën 17 para kryeministrisë.
Bordi i Transparencës i mbledhur në datë 29 mars 2022 vendosi çmimet e reja të shitjes së karburanteve me pakicë dhe shumicë për tregun vendas. Këto çmime reflektojnë ndryshimet që janë shfaqur në tregjet ndërkombëtare.
Nisur sa më sipër, Bordi i Transparencës i ngritur me vendim qeverie, me qëllim kufizimin e përkohshëm të çmimeve të tregtimit me shumicë/pakicë, bazuar në metodologjinë e ndërtimit të çmimeve sipas nenit 21/5 të Aktit Normativ, vendosi:
Çmimi me shumicë i nënproduktit gazoil do të jetë 225 lekë/litër dhe nënproduktit benzinë do të jetë 199 lekë/liter për periudhën 29 mars- 31 mars 2022
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gazoil i standardit SSH EN 590 për periudhën 29 mars – 31 mars 2022, të jetë 237 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN 228 për periudhën 29 mars- 31 mars 2022, të jetë 211 lekë/litri.
Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz për periudhën 29 mars- 31 mars 2022, të jetë 116 lekë/litri dhe me shumicë 104 lekë/litri.
Vendimi i Bordit hyn në fuqi dhe do reflektohet në datë 29 mars, ndërkohë që mbledhja e ardhshme do të jetë ditën e enjte, datë 31.03.2022 me qëllim pasqyrimin në çmimin e shitjes.