Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i kërkon Kuvendit të Shqipërisë që të mos miratojë dy projektligje.
Në një postim në rrjetin social, Facebook, kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi shprehet se në seancën e sotme publike konstatoi se miratimi i dy projektligjeve mund të ndikojë në elektorat. Bëhet fjalë për dy projektligjet “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’” dhe projektligjit “Për paketën e maleve”, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
“Sot në seancën publike konstatova se miratimi i dy projektligjeve, ‘Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 92, datë 24.07.2014, ‘Për tatimin mbi vlerën e shtuar në Republikën e Shqipërisë’ dhe projektligjit ‘Për paketën e maleve’, nuk respekton kërkesat e nenit 91, pika 4, të Kodit Zgjedhor.
Ky vendim bazohet në parimin e neutralitetit të institucioneve shtetërore gjatë periudhave zgjedhore, me synimin për të shmangur çdo ndikim të mundshëm mbi elektoratin përmes ndryshimeve në politikat fiskale apo ekonomike. Në këtë kontekst, miratimi i këtyre projektligjeve, të cilat prekin politika të rëndësishme fiskale, mund të krijojë perceptimin e përdorimit të mjeteve ligjore për qëllime elektorale. Për këtë arsye, i kërkoj Kuvendit të Shqipërisë të mos i shqyrtojë këto dy projektligje në seancë plenare.”, thotë ai.