Në Klinë sot u promovua libri me poezi “Jeta në Uragan” i autores Eronita Thaçi, botim i Shoqatës Kulturore “Jehona e Dukagjinit” në Klinë.
Në promovim folën Imer Pantina, redaktor i librit, i cili ndër të tjera tha se “autorja Eronita Thaçi në këtë fillim të prodhimit të vet letrar që e shpërfaq para lexuesit, vjen duke detektuar hapësirat e brendshme, shpesh melankolike, për të reflektuar dhe madje, shpeshherë duke monologëzuar, që më pas të nxjerrë anga aty atë zjarrminë motivuese, atë shprehjen poetike që i trumbeton njerëzores. Është ky zjarri motivues që e nxitë një poete të re në moshë, për ta lënë në hapësirën e vet imagjinative që të japë ngjyra bukuria e njerëzimit dhe njëkohësisht, duke kaluar përmes atij “terri” që shpeshherë mveshet socializimi ynë”.
Ndërsa Mahir Morina, lektor i librit, dhe njëherësh udhëheqës i Klubit Letrar “Dritëro Agolli” që funksionon në kuadër të Shoqatës “Jehona e Dukagjinit”, shpalosi projektet e kësaj shoqate, përkushtimin e saj në përkrahjen e talentëve të rinj.
Promovimi u mbajt në ambientin e Bibliotëkës së Gjimnazit “Luigj Gurakuqi” në Klinë. U moderua nga profesori Bashkim Hoti, ndërsa, promovimin e përshëndeti drejtori i kësaj shkolle z. Xhafer Bashota dhe profesori Ramë Merlaku.
Në fund të pranishmëve iu drejtua edhe autorja e librit, e cila shpalosi emocionet e saja me rastin e botimit të librit të saj të parë me poezi.
Eronita Thaç, nxënëse e klasës së njëmbëdhjetë, me këtë libër e fillon karrierën e saj si poete.