Peter Mandelson kërkoi një dëmshpërblim prej 547 mijë paundësh pasi u largua nga posti i ambasadorit të Mbretërisë së Bashkuar në Shtetet e Bashkuara në shtator të vitit 2025, sipas dokumenteve të para të publikuara lidhur me emërimin e tij, një proces që shkaktoi reagime të forta për shkak të lidhjeve të tij me financierin e dënuar për krime seksuale Jeffrey Epstein.
Dokumentet tregojnë se Mandelson kërkoi të merrte të gjithë pagën që do t’i takonte për periudhën katërvjeçare të kontratës së tij si ambasador, pasi u shkarkua nga posti.
“Negoçiatat nisën me kërkesën e tij që t’i paguhej pjesa e mbetur e pagave për mandatin katërvjeçar të kontratës me afat të caktuar. Kjo do të arrinte në 547.201 paund”, thuhet në dokumente.
Në fund, qeveria e kryeministrit Keir Starmer miratoi pagesën e 34.670 paundëve si kompensim diskrecional në momentin e largimit të tij, përveç 40.329 paundëve që i takonin ligjërisht. Shuma totale arriti në afro 75 mijë paund.
Dokumente të tjera në të njëjtin material tregojnë se verifikimet e përshtatshmërisë (due diligence), të përgatitura për Starmer, theksonin se marrëdhënia miqësore e Mandelson me Epstein kishte vazhduar edhe pasi ky i fundit ishte dënuar për rekrutimin e një të miture për prostitucion.
Alex Burghart, kancelar në hije i Dukatit të Lancasterit nga Partia Konservatore, deklaroi:
“Për kryeministrin pretendohet se është mashtruar. Por ai nuk u mashtrua nga ky dokument i kontrollit të përshtatshmërisë”.
Sipas të njëjtave dokumente, lidhjet e Mandelson me Epstein, si dhe dy dorëheqjet e tij nga qeveria e Tony Blair, u konsideruan si tregues të një “rreziku të përgjithshëm për reputacionin”.
Dosjet zbulojnë gjithashtu se Jonathan Powell, këshilltar për sigurinë kombëtare i Starmer, ishte “veçanërisht i rezervuar ndaj emërimit” dhe mendonte se procesi kishte avancuar “çuditërisht me nxitim”.
Kryeministri kishte rënë dakord për publikimin e dokumenteve si përgjigje ndaj pyetjeve mbi kontrollin e përshtatshmërisë së Mandelson në vitin 2024 dhe mbi atë që qeveria dinte për lidhjet e tij me Epstein.
Megjithatë, pasditen e së mërkurës u publikua vetëm një pjesë e vogël e dokumenteve, të cilat në total pritet të përbëjnë mijëra faqe.
Disa prej tyre nuk janë bërë ende publike, pasi Mandelson – i cili ka deklaruar se nuk ka vepruar në mënyrë të paligjshme dhe se nuk ka pasur motive financiare – po hetohet nga policia për një abuzim të mundshëm me funksionin publik.
Pas publikimit të dokumenteve, Darren Jones, sekretari kryesor i kryeministrit, deklaroi në Dhomën e Komunave se është e rëndësishme të ketë “llogaridhënie dhe transparencë të plotë” lidhur me publikimin e tyre.
“Jeffrey Epstein ishte një kriminel i neveritshëm që kreu disa nga krimet më të tmerrshme dhe të urryeshme… Viktimat do të jenë gjithmonë prioriteti ynë”, shtoi ai.
Starmer nuk kishte dijeni të plotë për marrëdhënien Mandelson–Epstein
Në një letër të përfshirë në dosje përshkruhet një takim i zhvilluar më 11 shtator 2025, i kryesuar nga Keir Starmer, gjatë të cilit u mor vendimi për largimin e Mandelson nga posti.
Sipas letrës, Starmer shprehu shqetësimin se “përgjigjet që Mandelson i dha sekretarit të përhershëm të Ministrisë së Jashtme, Oliver Robbins, lidhur me email-et, nuk i ofronin sigurinë se nuk do të kishte zbulime të tjera”.
Letra sqaron se bëhej fjalë për email-e që Mandelson i kishte dërguar Epstein dhe që u publikuan nga agjencia Bloomberg. Mesazhet ishin dërguar pasi financieri kishte pranuar fajësinë në qershor 2008 për rekrutimin e një të miture për prostitucion.
“Email-et zbuluan një thellësi dhe shtrirje të marrëdhënies me Epstein, për të cilën ai (Starmer) nuk kishte qenë më parë në dijeni kur vendosi ta emëronte Mandelson”, thuhet në letër.
“Në bazë të këtyre të dhënave, ai propozoi që Mandelson-it t’i kërkohej të jepte dorëheqjen.” Në fund, kryeministri vendosi ta largojë atë nga posti.
“Kryeministri ishte i qartë për shqetësimin e tij të thellë për viktimat e Epstein”, theksohet në letër.



