Babai i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Haxhi Thaçi, ka ndërruar jetë.
Lajmi u bë i ditur nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi.
“Me dhembje të thellë mora lajmin për ndarjen nga jeta të Haxhi Thaçit, babait të Presidentit Hashim Thaçi. Sot, pas një beteje të gjatë me sëmundjen, nuk u shua vetëm një njeri, por një baba që i dha Kosovës një çlirimtar, një burrë që me përkushtimin dhe edukatën e tij ndihmoi në lindjen e një epoke të re për kombin tonë.
Ngushëllimet më të sinqerta Presidentit Thaçi, familjes Thaçi dhe mbarë kombit shqiptar. Haxhi Thaçi ishte më shumë se një prind – ai ishte një shtyllë e fortë e vlerave atdhetare, një njeri i urtë dhe fisnik, i cili la pas një trashëgimi të pavdekshme në historinë tonë. U prehtë në paqe”, shkroi Krasniqi.
Haxhi Thaçi ishte i shtruar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, ku po trajtohej për gjendjen e tij të rënduar shëndetësore.
Më 13 mars 2025, ish-presidenti Hashim Thaçi, i cili ndodhet në paraburgim në Hagë që nga nëntori i vitit 2020, kishte marrë leje për të vizituar babanë e tij në spital.
Vizita zgjati rreth tre orë dhe u zhvillua nën masa të rrepta sigurie.
Pas vizitës, Hashim Thaçi u kthye në paraburgim në Hagë.
Gjatë qëndrimit të tij në spital, qytetarë të shumtë ishin mbledhur për t’i dhënë mbështetje ish-presidentit dhe familjes së tij në këto momente të vështira.