Kosova përkujton sot 25-vjetorin e masakrës në Reçak, ku forcat serbe vranë mbi 45 civilë të pafajshëm shqiptarë. Ish-shefi i misionit vëzhgues të OSBE-së në Kosovë, ambasadori William Walker, e pati cilësuar Masakrën në Reçak si krim kundër njerëzimit.
Më 15 janar 1999, në fshatin Reçak u vranë e u masakruan barbarisht 45 shqiptarë të paarmatosur. Në orët e hershme të mëngjesit të 15 janarit Reçaku u zgjua i rrethuar.
Sipas dëshmitarëve, rreth orës 6:30 forcat serbe me artileri të rëndë kanë filluar të bombardojnë fshatin. Pas ndërprerjes së bombardimeve, forcat serbe janë futur në fshat dhe kanë filluar bastisjet.
Masakra në Reçak tmerroi botën dhe zgjoi ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën.
Tmerret e shkaktuara në fshatin Reçak sollën në vëmendje të gjithë botën e civilizuar dhe shpalosi të vërtetën rreth planit gjenocidal të ish-kriminelit Sllobodan Millosheviç. Për herë të parë nga skenat rrëqethëse dhe masakrat barbare që bënë forcat serbe në popullatën civile shqiptare, kishin tmerruar edhe misionarë dhe diplomatë të botës.
Ndërkohë që në orët e hershme të ditës së sotme familjarë e qytetarë të shumtë kanë nisur homazhet në Reçak,në nderim të 45 civilëve të cilët u vranë dy dekada e gjysmë më parë.
Ndërkaq gjatë ditës tek varrezat në Reçak do të bëjnë homazhe edhe presidentja Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti, kryeparlamentari Glauk Konjufca, dhe krerë të partive opozitare.
Pas homazheve, duke filluar nga ora 09:30, të njëjtit do të marrin pjesë në Akademinë Përkujtimore, e cila organizohet për çdo përvjetor.