Udhëheqësi i ri ushtarak i Gabonit u betua si President të hënën, vetëm pak ditë pas rrëzimit nga pushteti të Presidentit Ali Bongo, familja e të cilit udhëhiqte vendin prej pesë dekadash.
Gjenerali, Brice Clotaire Oligui Nguema, u betua në pallatin presidencial, para shumë zyrtarëve qeveritarë, udhëheqësve ushtarakë dhe lokalë në kryeqytetin Libreville. Oligui është kushëri i presidentit të rrëzuar Bongo dhe ka shërbyer si truprojë e babait të tij të ndjerë. Gjenerali Oligui po ashtu ka shërbyer si kreu i gardës republikane, njësi elitare ushtarake.
Oligui tha se ushtria mori pushtetin pa gjakderdhje dhe premtoi mbajtjen e zgjedhjeve të lira, demokratike dhe të besueshme.
“Me qeverinë e re, të përbërë nga njerëz me përvojë, do t’u japim të gjithëve mundësi të shpresojnë”, tha ai.
Oficerët që organizuan kryengritjen për të rrëzuar zotin Bongo javën e kaluar, thanë se ai rrezikonte ta çonte vendin drejt kaosit dhe se ata “unanimisht” vendosën të emërojnë zotin Oligui president të komitetit tranzitor. Zoti Bongo, që kishte mbajtur pozitën e presidentit në 14 vjetët e fundit, u rrëzua vetëm disa orë pasi ishte shpallur fitues i zgjedhjeve, që sipas vlerësimeve u shoqëruan me shumë parregullsi e mungesë transparence.
Ceremonia e shpejtë e betimit të zotit Oligui do të krijojë përshtypjen e legjitimitetit dhe konsolidimit të pushtetit të tij për të shkurajuar kundërshtarët potencialë që të sfidojnë qeverisjen e tij, thotë zonja Maja Bovcon, analiste pranë Verisk Maplecroft, një kompani për vlerësimin e rrezikut.
Megjithatë, fakti që ai planifikon të rishkruajë kushtetutën dhe kodin zgjedhor do të thotë që periudha tranzitore do të zgjasë me muaj, nëse jo me vite. Apnews