Deontay Wilder u arrestua të martën, pasi policia i gjeti një armë pa leje. Ish-kampioni i botës në boks u la në burg nga policia dhe mundi të lirohej vetëm pasi pagoi dëmshpërblimin prej 35 mijë dollarësh në policinë e Los Anxhelosit.
Sipas TMZ, wilder, i cili në karrierë ka 43 fitore nga 46 ndeshje, po udhëtonte me makinën e tij Rolls Royce të martën në orët e para të mëngjesit, teksa po shëtiste në zonën e Hollivudit.
Policët e ndaluan pasi ai kishte mbuluar targën dhe kishte errësuar pa leje xhamat e makinës. Gjithashtu, brenda mjetit vinte era marijuhanë, çka i shtyu edhe më shumë policët që të kontrollonin.
Pak orë para se të lirohej nga qelia, kampioni i botës në versionin WBC në vitet 2015-2020 shkroi në Twitter: “Më mirë i sigurt, se sa të pendohem. Pikë”.
Sipas mediave amerikane, Wilder bashkëpunoi me efektivët dhe nuk bëri rezistencë. Tani, boksieri i lindur në Alabama do të duhet të dalë para gjykatës më 23 maj, ku dënimi maksimal që do të mund të marrë, është një gjobë prej 10 mijë dollarësh.
Arrestimi dhe gjyqi mund të bëhen pengesë për ndeshjen e madhe që parashikohet të zhvillohet në dhjetor të këtij viti mes Wilder dhe Anthony Joshua-s. Raportohet se palët kanë nisur bisedimet prej disa kohësh, por nëse Wilder shpallet fajtor, ndërpritet gjithçka.
Amerikani humbi titullin botëror në versionin WBC, pasi u mund dy herë nga Tyson Fury, por kërkon një tjetër mundësi për të dueluar me britanikun, edhe pse kjo ka pak gjasa të ndodhë.