Mesfushori i Chelseat, Jorginho, është shpallur futbollisti më i mirë për sezonin 2020/21 në Evropë. Në ceremoninë e organizuar në Stamboll të Turqisë nga UEFA, Jorginho ka marrë votat maksimale. Jorginho ka lënë pas vetes mesfushorin e Manchester Cityt, Kevin De Bruynen, dhe bashkëlojtarin e tij te Chelsea, francezin N’Golo Kante. Jorginho ka tubuar 175 pikë nga të gjitha votat, tetë më shumë se belgu De Bruyne dhe 15 më shumë se Kante. Edicioni 2020/21 ishte prej më të mirëve në karrierën e Jorginhos. Ai e fitoi trofeun e Ligës së Kampionëve me Chelsean, si dhe Kampionatin Evropian me Përfaqësuesen e Italisë. Chelsea në finale të Championsit e mposhti skuadrën e Manchester Cityt. Jorginho nuk ishte i pranishëm për ta pranuar trofeun, por nëpërmjet një video-mesazhi të shfaqur në ekran, ka falënderuar të gjithë. Juria ishte e përbërë prej 24 përzgjedhësve të përfaqësueseve që morën pjesë në “Euro 2020”, pastaj 80 trajnerëve të ekipeve që morën pjesë në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve e Ligës së Evropës në sezonin 2020/21, si dhe 55 gazetarëve të përzgjedhur nga secili shtet anëtar i UEFA-s. Prej vitit 2016 pjesë e jurisë që shpall më të mirin është edhe Grupi KOHA, që e përfaqëson Kosovën dhe ishte në këtë ceremoni.
“Fillimisht, më vjen shumë keq që nuk jam i pranishëm në këtë ceremoni për shkak të kufizimeve dhe situatës me koronavirusin. Më duhet të them se jam shumë mirënjohës. Jo vetëm për familjen dhe miqtë e mi, por për shokët e skuadrës në klub dhe vend, trajnerët, tifozët. Të gjithë ata që nuk më besuan, që më kritikuan, duhet t’i falënderoj edhe ata. Ata më dhanë edhe më shumë inkurajim. Ata më motivuan të punoja më shumë dhe më shumë për të provuar se kishin gabuar”, tha ndër të tjera në videomesazhin e tij, Jorginho duke insistuar se futbolli është një përpjekje ekipore dhe jo individuale.
Krahas çmimit të futbollistit të vitit që ishte kryesori, në ceremoninë e mbajtur në Stamboll, janë ndarë edhe disa çmime të tjera të rëndësishme. Krahas Jorginhos, gjermani Thomas Tuchel që mori drejtimin e Chelseat në janar të këtij viti, është shpallur trajneri i vitit. Ndërkohë, Kante e fitoi çmimin e mesfushorit më të mirë, sikurse edhe Edouard Mendy që u shpall portieri më i mirë. Mbrojtësi më i mirë i vitit u shpall Ruben Dias i Cityt, ndërsa epiteti i sulmuesit më të mirë, shkoi te norvegjezi i Borussia Dortmundit, Erling Haaland.
“Është si një ëndërr. Unë kurrë nuk kam menduar se do të arrij kaq larg kur fillova zejen e trajnerit, kështu që ky çmim është i mahnitshëm. Unë jam shumë i kënaqur. Si gjithmonë, në futboll është përpjekja ekipore dhe këtë çmim e pranoj në emër të gjithë stafit tim dhe atyre që çdo ditë punojnë te Chelsea për ta ngritur”, ishin fjalët e trajnerit Tuchel.
Në konkurrencën e femrave, futbollistja më e mirë u shpall Alexia Putellas e Barcelonës, kurse epiteti i trajnerit më të mirë shkoi te tekniku i ekipit spanjoll Lluis Cortes.
“Është sukses jo vetëm për mua, por edhe për ekipin e Barcelonës që fitoi kaq shumë çmime. Jam e bindur se nuk do të ndalemi me kaq”, porositi Putellas, që la pas vetes bashkëlojtaret Jennifer Hermoso dhe Lieke Martens.
Ceremonia nisi me pamje nga triumfi i skuadrës së Chelseat në Ligën e Kampionëve. Dhe, pastaj pati emocione për shkak se u nda çmimi presidencial i UEFA-s për Simon Kjaerin dhe stafin e mjekëve që ia shpëtuan jetën Christian Eriksenit, i cili pati atak kardiak në ndeshjen e “Euro 2020” midis Danimarkës dhe Finlandës. Me këtë rast, u shfaq një storje që kishte edhe deklarata të mjekëve. As qendërmbrojtësi Kjaer që është kapiten i Danimarkës, nuk ishte i pranishëm për ta pranuar çmimin, por përshëndeti nëpërmjet videomesazhit.
“Është vështirë të thuhet se si reaguam në atë moment të vështirë. Mirëpo, si ekip reaguam në mënyrën më të mirë të mundshme për të ndihmuar në shpëtimin e jetës së Christianit. Gjëja më e rëndësishme është se qëndruam të bashkuar dhe besuam se mjekët do ta bëjnë të pamundurën për bashkëlojtarin tonë”, u shpreh Kjaer.
UEFA në vitin 2011 ka vendosur të formojë çmimin “Lojtari më i mirë në Evropë”. Për edicionin 2010/11, më i miri ishte shpallur Lionel Messi. Në vitin 2012, për edicionin paraprak (2011/12) më i miri ishte shpallur Andres Iniesta. Pasuan Franck Ribery (2013), Cristiano Ronaldo (2014), Messi (2015), Ronaldo (2016, 2017), Luka Modriq (2018), Virgil van Dijk (2019) dhe Robert Lewandowski (2020).