UFO apo balona përgjuese? Është kjo pyetja e ngritur këto ditë, pasi ushtria amerikane rrëzoi objekte të paidentifikuara fluturuese, duke ndezur debate e fantazi të denja për x-files.
Zëdhënësi i këshillit të sigurisë kombëtare, John Kirby tha se nuk e dinë origjinën e tre objekteve që u goditën dhe u rrëzuan teksa fluturonin në kuotë të lartë mbi Amerikën e veriut, gjatë ditë të fundit. Sipas tij, qeveria amerikan nuk mendon se ishin mjete përgjimi, edhe pse nuk e përjashtoi këtë mundësi.
‘Nuk kishin mjete shtytëse. Nuk po manovronin. Nuk kishin kapacitete survejimi, por nuk mundemi ta përjashtojmë këtë mundësi. Gjendemi në një lloj terreni të pashkelur më parë.’
John Kirby
Kirby theksoi se objektet nuk përbënin kërcënim për banorët, por ishin shkatërruar për të mbrojtur sigurinë kombëtare dhe sigurinë e fluturimit në SHBA.
Më herët zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karin Jean Pierre u detyrua të qetësonte popullin amerikan, pasi zyrtarë ushtarakë thanë më herët se nuk përjashtonin mundësinë që objektet misterioze të ishin edhe alienë.
‘Nuk kemi asnjë sinjal për aktivitet jashtëtokësor sa i përket objekteve të rrëzuara së fundmi. Dua të sigurohem që populli amerikan ta dijë këtë.’
Karine Jean-Pierre
Sakaq, më vonë u bë e ditur se sensorët e balonës së dyshuar kineze, i pari objekt i rrëzuar nga ushtria amerikan rreth 10 ditë më parë, ishin gjetur në oqeanin atlantik.
Komanda veriore amerikane bëri të ditur se në zonë ishin gjetur mbetje të konsiderueshme, dhe se FBI-ja po analizon objektet. Autoritetet pretendojnë se balona i përkiste kinës dhe përdorej për survejim, por Pekini këmbëngul se ajo kishte si qëllim monitorimin e motit.
Që prej incidentit të parë, avionë luftarake amerikanë kanë rrëzuar tre objekte të tjera, mbi Alaskë, në Jukon të Kanadasë dhe liqenin Huron.
Uashingtoni mohoi me forcë pretendimet e Pekinit se SHBA kishte dërguar 10 balona të lartësive të mëdha mbi Kinë. Këshilli i Sigurisë Kombëtare tha se është Kina që ka një program survejimi me balona të lartësive të mëdha për të mbledhur të dhëna zbulimi. /A2CNN