Nord Stream 2, tubacioni kontrovers i gazit që lidh Gjermaninë me Rusinë nuk duhet të hapet kurrë, kanë deklaruar disa prej diplomatëve të lartë të Ukrainës.
Vsevolod Chentsov, ambasador i Ukrainës në Bashkimin Evropian, ka deklaruar po ashtu se shteti i tij “po shtyhet drejt NATO-s dhe Perëndimit” nga aksionet e Rusisë, e cila, siç thotë ai, është fajtore për “thyerje të ligjeve ndërkombëtare” përmes aksioneve të saj në Ukrainë.
Chentsov ka deklaruar se BE-ja “do të mund të bënte më shumë që të ndalonte presidentin rus, Vladimir Putin dhe të përmbante Rusinë” nga aneksimi i Krimesë në vitin 2014, dhe se Ukraina është duke përgatitur dy padi kundër Rusisë në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë.
Por janë komentet e tij mbi Nord Stream që do të duken veçanërisht të rëndësishme, pasi bisedimet vazhdojnë për një paketë sanksionesh që, siç tha Chentsov, do të përmbante “masa vërtetë të dhimbshme”.
Në krye të listës së sugjerimeve qëndron gazsjellësi, i cili do të siguronte një furnizim të madh me gaz natyror në Gjermani.
“Shikoni, pozicioni ukrainas është shumë i qartë. Evropa nuk ka nevojë për këtë gazsjellës, kështu që është një projekt 100% i motivuar politikisht. Nëse pyetja juaj është nëse ky tubacion duhet të ndizet – ndonjëherë, atëherë përgjigja jonë është jo. Ajo nuk mund të përdoret si armë kundër Ukrainës, por edhe kundër vendeve anëtare të BE-së, sepse sa më shumë leva të ketë Rusia, aq më pak është Evropa e sigurt”, ka thënë Chentsov.
Kancelari i ri i Gjermanisë, Olaf Scholz, ishte në mëdyshje rreth angazhimit të tubacionit për çdo paketë sanksionesh, duke çuar në pikëpyetje mbi përkushtimin e vendit të tij për të mbështetur Ukrainën.
Shqetësimet lidhur me Ukrainën janë shtuar javëve të fundit për shkak të vendosjes së rreth 100 mijë trupave ushtarake ruse në kufirin afër këtij shteti.
SHBA-ja ka paralajmëruar Rusinë për sanksione në rast se e pushton Ukrainën, mirëpo Moska zyrtare i ka mohuar këto pretendime duke theksuar se këto trupa ushtarake janë vendosur atje për të kryer stërvitje.