Ministri ukrainas i Mbrojtjes, Rustem Umerov u tha zyrtarëve amerikanë se Kievi pajtohet “90 për qind” me planin e paqes të Presidentit Trump të paraqitur në Paris këtë javë. Kjo u raportua nga New York Post, duke cituar një zyrtar të lartë të Uashingtonit.
Pyetja tani është nëse Moska do të bashkohet apo jo?
“Javën e ardhshme në Londër, ne duam të marrim një vendim për një armëpushim të plotë dhe gjithëpërfshirës”, tha zyrtari, duke theksuar se “qëllimi është që më pas të kemi diskutime me rusët dhe më pas të themi, “OK, kjo është oferta juaj më e mirë dhe përfundimtare”, për të zbuluar se ku qëndrojnë të dyja palët”.
Ndërkohë Shtetet e Bashkuara thuhet se janë të gatshme të njohin kontrollin rus mbi rajonin e Krimesë të Ukrainës, si pjesë e një marrëveshjeje më të gjerë paqeje midis Moskës dhe Kievit. Këtë e raportoi Bloomberg, duke cituar burime të njohura me këtë çështje.
Rusia dhe Ukraina do të kryejnë një shkëmbim të rreth 500 të burgosurve , përfshirë 46 ushtarë të plagosur, të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe të shtunën, thanë mediat.
Ndërkaq Donald Trump dhe kryeministri britanik Keir Starmer diskutuan tregtinë dypalëshe, bisedimet e vazhdueshme për të arritur një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë dhe sigurinë rajonale në Lindjen e Mesme. Këtë e tha Shtëpia e Bardhë në një deklaratë ku raportoi bisedën telefonike mes dy liderëve. Presidenti amerikan tha gjithashtu se mezi priste vizitën e tij të radhës shtetërore në Mbretërinë e Bashkuar me Mbretin Charles III, të planifikuar për më vonë këtë vit.