Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Ukrainës, Andriy Melnik, ka kërkuar aeroplanë luftarakë perëndimorë, anije dhe tanke, pas premtimit të SHBA për të dërguar sistemet raketore Patriot në Ukrainë.
Ukraina është shumë mirënjohëse për “lëvizjet e reja të guximshme” të SHBA-së, tha Melnik.
“Por dihet se ka ende tabu që duhen thyer. Na duhen urgjentisht tanke perëndimore, aeroplanë luftarakë, anije, sisteme raketore dhe municione. Kjo është dëshira jonë e vetme për Krishtlindje”, ka thënë ish-ambasadori i Ukrainës në Gjermani, i cili shtoi se përndryshe, lufta do të shkaktojë edhe më shumë vuajtje, vdekje dhe shkatërrim të Ukrainës.
Ai vlerësoi se presidenti rus Vladimir Putin po përgatit ushtrinë dhe qytetarët e tij për një luftë të gjatë, dhe po mobilizon të gjitha burimet që i ka në dispozicion.
“Ukrainasit janë gati të luftojnë për çlirimin e atdheut të tyre, duke përfshirë Krimenë, deri në frymën e tyre të fundit. Kjo është e sigurt, pavarësisht se çfarë do të bëjnë aleatët tanë”, theksoi ai.
Melnik refuzoi të negociojë me Rusinë dhe e quajti dëshirën e pretenduar të Kremlinit për negociata, “një bllof të plotë”.
Ai kategorikisht hodhi poshtë mundësinë që Ukraina të heqë dorë nga ndonjë pjesë e territorit të saj.
“Kievi e konsideron të papranueshme. Kjo nuk do të ndodhë”, tha Melnik.