Ukraina kërkon tanket gjermane, aleatët diskutojnë sot në bazën e Rammstein

albnews
By
2 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti ukrainas Volodimir Zelensky i bëri thirrje të drejtpërdrejtë Gjermanisë t’i sigurojë tanke, në prag të bisedimeve të rëndësishme mes aleatëve perëndimorë në bazën ajrore të Gjermanisë, Rammstein.

SHBA dhe BE i kanë premtuar Kievit pajisje më të avancuara për të luftuar pushtimin rus, por Berlini është në presion të shtuar për të lejuar dërgimin e tankeve Leopard të prodhuara në Gjermani. Në një deklaratë për televizionin publik gjerman, Zelensky kritikoi hezitimin e Gjermanisë.

 “Nëse keni tanke Leopard atëherë na i jepni ne. Ato tanke nuk do të shkojnë për Rusinë, ne do të mbrojmë veten”, ishte apeli i presidentit Voldymyr Zelensky.  Zyrtarë të mbrojtjes nga 50 vende mblidhen në bazën e Rammstein, një ditë pasi SHBA dhe një sërë shtetesh u zotuan t’i sigurojnë Ukrainës më shumë armatime.

Gati një muaj pasi Rusia nisi luftën e plotë ndaj shtetit fqinj, zyrtarë të NATO besojnë se Moska po planifikon një rigjallërim të ofensivës në pranverë dhe prandaj ndihmat e mëtejshme për Kievin konsiderohen vendimtare.

Britania e Madhe ka ofruar 14 nga tanket e saj, Challenger, por Kievi kërkon më shumë. Si vendi prodhues, Gjermania duhet t’i japë lejen vendeve të treta si Polonia dhe Finlanda, të dërgojnë tanket Leopard në Ukrainë.

Megjithatë ministri i Jashtëm polak sugjeroi se Varshava mund ta bëjë këtë, edhe nëse Berlini nuk e jep dritën jeshile. Kancelari Scholz e ka kushtëzuar lejen gjermane për tanket, me pranimin e Shteteve të Bashkuara për të dërguar tanket e veta, Abrams.

Por Uashingtoni duket se për momentin, nuk ka ndër mend ta bëjë diçka të tille. Nga ana e saj Rusia, ka paralajmëruar se furnizimi i Ukrainës me tanket perëndimore do të shënojë një përshkallëzim të rrezikshëm të luftës.

Share This Article