Pas një takimi me gjeneralin më të lartë të Ukrainës Oleksandr Syrsky, presidenti Volodymyr Zelensky tha se ushtria e vendit të tij po planifikon të godasë objektiva thellë brenda territorit rus.
“Ne do të vazhdojmë operacionet tona aktive në mënyrën e duhur për mbrojtjen e Ukrainës. Forcat dhe burimet janë të përgatitura. Janë planifikuar gjithashtu sulme të reja thellë brenda Rusisë,” u shpreh Zelensky.
Ndërsa nga Moska erdhën akuza ndaj partnerëve evropianë të Kievit. Zëdhënësi i Kremlinit tha se fuqitë evropiane po pengojnë përpjekjet e Presidentit amerikan për të arritur paqen në Ukrainë.
“Ne jemi të gatshëm ta zgjidhim problemin me mjete politike dhe diplomatike,” tha Dmitry Peskov, “por deri tani nuk shohim gatishmëri për paqe nga ana e Kievit, kështu që ne do të vazhdojmë operacionin ushtarak special.”
Sakaq nga Vatikani u kërkua arritje e një armëpushimi të menjëhershëm mes Ukrainës dhe Rusisë. Gjatë Lutjes së Engjëllit, Papa Leoni XIV përsëriti thirrjen për angazhim të sinqertë në dialog mes palëve, pasi një sulm rus ndaj Kievit të enjten i mori jetën 25 personave përfshirë edhe 4 fëmijë.
Pavarësisht këtyre thirrjeve, Ukraina dhe Rusia kanë vijuar bombardimet ndaj njëri-tjetrit. Forcat ruse goditën të dielën objektet energjetike në të paktën dy rajone dhe sulmuan disa zona të tjera në të gjithë Ukrainën. Sipas autoriteteve rajonale, dronët rusë dëmtuan katër objekte energjetike në rajonin e Odesës, duke plagosur një person dhe lënë pa energji më shumë se 29 mijë banorë.
Një tjetër sulm me dronë goditi infrastrukturën civile energjetike në rajonin e Çernihivit në Ukrainën veriore, la pa energji elektrike mbi 30 mijë familje në qarkun Nizhin thanë zyrtarët vendorë.
Forca ajrore ukrainase thanë se mbrojtja ajrore rrëzoi 126 nga 142 dronët e lëshuar nga Rusia, ndërsa Moska njoftoi se rrëzoi 112 dronë ukrainas.