Ukraina deklaroi sot se dëshiron që siguria e saj të garantohet nga forcat ndërkombëtare dhe hodhi poshtë propozimet e Rusisë që ajo të miratojë një status neutral të krahasueshëm me Austrinë ose Suedinë.
“Ukraina është tani në një gjendje lufte me Rusinë. Si rezultat, modeli mund të jetë vetëm ‘ukrainas’ dhe vetëm me garanci sigurie të verifikuara ligjërisht”, tha kryenegociatori i Ukrainës, Mikhailo Podolyak, në komentet e publikuara nga zyra e presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky.
Ai bëri thirrje për një marrëveshje sigurie ligjërisht të detyrueshme, të nënshkruar nga partnerët ndërkombëtarë, të cilët “nuk do të qëndrojnë mënjanë në rast të një sulmi ndaj Ukrainës, siç bëjnë sot”.
Kremlini tha më herët sot se një Ukrainë neutrale ngjashëm si Suedia ose Austria, po diskutohej në bisedimet me Kievin për t’u dhënë fund luftimeve 3-javore në Ukrainë.
Ndërkohë presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky edhe sot dha mesazhin se Ukraina nuk do të ulë armët deri në fitore.
Në një video të postuar në rrejtin social instagram presidenti i bëri thirrje ushtrisë ruse të ulë armët dhe të kthehet në shtëpi.
“Ne po mbrojmë tokën tonë, fëmijët tanë, familjet tona, kështu që nuk planifikojmë të ulim armët deri në fitoren tonë”.