Ulen tensionet, Trump urdhëron largimin e 700 trupave të ICE nga Minesota

albnews
By
3 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër për të tërhequr 700 oficerë të policisë federale nga Minesota, si pjesë e operacionit të gjerë mbi imigracionin, duke lënë të hapur mundësinë e një “qasjeje më të butë” pas tensioneve që lindën në Minneapolis.

Megjithatë Trump nuk e ka braktisur strategjinë “e ashpër” të administratës së tij, pasi në një intervistë me NBC, presidenti theksoi se linja federale mbi imigracionin do të mbetet e rreptë, ndërsa u bëri thirrje autoriteteve lokale të bashkëpunojnë me oficerët federalë

“Nuk ndodhi vetëm sepse e doja unë. Po presim që ata të lirojnë të ndaluarit”, tha ai.

Qeveria federale ka dërguar mijëra agjentë dhe oficerë në Minesota që nga dhjetori, në një operacion që zyrtarët e Imigracionit dhe Doganave të SHBA-së (ICE) e kanë përshkruar si më të madhin ndonjëherë  në historinë e agjencisë. Por operacioni ka tërhequr kritika të ashpra për taktikat agresive, me zemërimin që po përshkallëzohet pas vdekjes së dy qytetarëve, Renee Goode dhe Alex Pretty, të përfshirë në incidente me forcat federale.

Më herët gjatë ditës, cari kufitar i Shtëpisë së Bardhë, Tom Homan, tha se rreth 2,000 oficerë dhe agjentë federalë do të mbeten në këtë shtet. Ai tha se tërheqja e pjesshme erdhi pasi nisi bashkëpunimi lokal me me autoritetet federale, duke i lejuar ICE-së të merrte në kujdestari emigrantët pa dokumente. “Ky është policim i zgjuar, jo më pak policim”, tha ai.

Që nga muaji i kaluar, sherifët në të paktën shtatë nga 87 qarqet e Minesotës kishin nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi me ICE-në, duke ndarë informacion në lidhje me të ndaluarit që mund të jenë në vend ilegalisht. Departamenti i Korrektimeve i shtetit ka punuar me ICE-në për vite me radhë, duke e njoftuar atë kur emigrantët e dënuar për krime të rënda janë gati të lirohen.

Në të kundërt, Burgu i Qarkut Hennepin, i cili përfshin Minneapolis, ka pasur një politikë të mos publikimit të informacionit mbi rastet e thjeshta të imigracionit që nga viti 2019, duke përmendur shqetësimet për sigurinë publike dhe frikën se emigrantët pa dokumente ngurrojnë të raportojnë krimet. Prokurori i përgjithshëm i shtetit, Keith Ellison, e ka bërë të qartë se çdo marrëveshje federale për paraburgimin kërkon miratimin nga këshilli i zgjedhur i qarkut.

Zyrtarët vendorë dhe shtetërorë e quajtën tërheqjen e trupave të ICE-së një zhvillim pozitiv, por jo të mjaftueshëm. Kryetari i Bashkisë së Minneapolis, Jacob Frey, tha se ishte një “hap në drejtimin e duhur”, por theksoi se prania e 2,000 oficerëve federalë “nuk përbën ulje të tensioneve”.

“Operacioni Metro Surge ka qenë shkatërrues për bizneset dhe banorët tanë. Duhet të përfundojë menjëherë”, tha ai.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walsh, e përsëriti këtë, duke bërë thirrje për një tërheqje më të shpejtë dhe më të madhe të trupave.

Share This Article