Presidenti amerikan Donald Trump ka lëshuar një paralajmërim të fortë ndaj Hamasit, duke kërkuar dorëzimin e menjëhershëm të trupave të pengjeve izraelitë që ende ndodhen në Gaza.
Ai tha se nëse kjo nuk ndodh brenda 48 orëve, grupi palestinez do të përballet me pasoja nga vendet e përfshira në marrëveshjen e paqes.
Në një postim në platformën “Truth Social”, Trump theksoi se disa trupa janë të vështira për t’u gjetur, por të tjerët mund të kthehen menjëherë.
“Le të shohim se çfarë do të bëjnë në 48 orët e ardhshme. Po e monitoroj situatën nga shumë afër“, përfundoi ai.
Ai akuzoi Hamasin se po pengon zbatimin e plotë të marrëveshjes së armëpushimit dhe se do të mbajë përgjegjësi nëse paqja prishet.
Trump përsëriti pretendimet izraelite se grupi militant ka mundësi të dorëzojë trupat, por zgjedh të mos e bëjë.
Trump i bëri këto komente në një postim në rrjetet sociale, ndërsa takohej me emirin dhe kryeministrin e Katarit në bordin e Air Force One. Shteti i Gjirit shërbeu si ndërmjetës kryesor i marrëveshjes së armëpushimit Izrael-Hamas që hyri në fuqi në fillim të këtij muaji.




