Ura e Zogut, e njohur edhe si Ura me harqe, po shkon drejt rrënimit të plotë.
Autoritetet kanë marrë si masë paraprake vendosjen e një strukture metalike në njërën prej këmbëve, por kjo konsiderohet e pamjaftueshme.
“Bëhet fjalë për rënie të ndjeshme të strukturës, në pjesën lindore të strukturës, ku ka qenë e ndërtuar dhe një platformë e përkohshme faktikisht. Nuk është një platformë e perhershme, është e përkohshme, por duhet bërë një projekt i detajuar, për ndërhyrje shpëtimi, sepse po rrezikojmë shembjen e saj të plotë”, u shpreh Paulin Zefi, përgjegjës i trashëgimisë kulturore, Lezhë.
Kërkohet një ndërhyrje urgjente.
“Duke parë situatë, duke parë nivelin e devijimit të kësaj strukture, kam frikë se ndoshta nuk mund ta kalojë këtë dimër”, shtoi Zefi.
Ura e Zogut është monument kulture, ndërsa ka qenë një prej ndërtimeve më të rëndësishme gjatë periudhës së mbretërisë shqiptare.
Sot ura mbetet një vlerë e çmuar e trashëgimisë kulturore në vendin tonë.




