Uragani “Dorian” i cili po vlerësohet si stuhia më e fuqishme që e ka goditur ndonjëherë rajonin e Karaibeve, ka shkaktuar vërshime të mëdha dhe ua ka hequr kulmet shumë ndërtesave.
Uragani i kategorisë së pestë, i cili është duke lëvizur ngadalë në drejtim të brigjeve lindore të Shteteve të Bashkuara, është stuhia e dytë më e fuqishme që është regjistruar ndonjëherë në Oqeanin Atlantik, me erëra me shpejtësi deri në 285 kilometra në orë.
Disa shtete të Shteteve të Bashkuara, si Florida, Georgia, Karolina Jugore dhe Karolina Veriore e kanë shpallur gjendjen emergjente pasi pritet që stuhia të arrijë në territoret e tyre.
Ka pak informata për gjendjen e Ishujve Bahamas gjatë natës së kaluar për shkak të ndërprerjes së energjisë elektrike dhe qasjes së kufizuar në internet. Raportohet se Ishujt Abaco janë mbuluar nga uji pasi valët e stuhisë kanë shkuar në lartësinë prej shtatë metrash.
Joy Jibrilu, drejtor i përgjithshëm në Ministrinë për Turizëm dhe Aviacion, tha: “Stuhia është shkatërruese. Ka shumë dëme materiale në infrastrukturë dhe prona private. Për fat të mirë, nuk është raportuar për viktima”.
Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, e anuloi vizitën në Poloni javën e kaluar për shkak të rrezikut nga kjo stuhi dhe është takuar me zyrtarët për menaxhimin e situatave emergjente, shkruan “BBC”.