Konflikti Donald Trump -Nicolas Maduro po arrin kulmin pas urdhrit të dhënë dy ditë më parë nga Presidenti amerikan për vendosjen e një force të konsiderueshme ushtarake pranë brigjeve të Venezuelës dhe dyfishimit të shpërblimit për kapjen e presidentit venezuelian në 50 milionë dollarë.
Presidenti Maduro i bëri thirrje rojes kombëtare, rezervistëve dhe “të gjithë popullit” të mobilizohen fundjavën e ardhshme për t’u përballur me kërcënimet e qeverisë amerikane.
“E konsiderova të nevojshme dhe të përshtatshme të shtunën dhe të dielën të organizoja demonstrata të mëdha (…) për të thënë: Mjaft me kërcënimet tuaja! Venezuela ju refuzon, Venezuela dëshiron paqe!”, tha Maduro në një ceremoni gjatë së cilës dekoroi ushtarët e Gardës Kombëtare.
Presidente kishte njoftuar tashmë se po aktivizonte një plan të posaçëm që parashikon vendosjen e 4.5 milionë ushtarëve të Gardës Kombëtare në të gjithë territorin e Venezuelës. Ai njoftoi gjithashtu një takim me të gjitha organet e sistemit të “mbrojtjes kombëtare” për të “përshtatur” planet operative.
Kujtojmë se dy ditë më parë presidenti amerikan urdhëroi vendosjen e një armate amfibe, duke përfshirë tre shkatërrues me raketa të telekomanduara dhe një numër të barabartë anijesh zbarkimi me helikopterë me 2,200-4,000 marins, pranë Venezuelës, si pjesë e luftës kundër “trafikut të drogës”, në sfondin e përshkallëzimit të mëtejshëm të tensionit tashmë të lartë midis Uashingtonit dhe Karakasit.