Kryeministri Albin Kurti reagoi ashpër ndaj demonstrimit të forcës nga ushtria serbe në afërsi të brezit kufitar në Karaçevë, duke e cilësuar atë si të pajustifikueshëm dhe provokues. Sipas tij, fluturimet e helikopterëve dhe zbritjet e parashutistëve mbi zona të banuara me shqiptarë në komunën e Bujanovcit përbëjnë presion të drejtpërdrejtë mbi popullatën civile dhe përpjekje për të nxitur tensione.
“Një shfaqje e tillë e forcës ushtarake mbi shtëpi, shkolla, qendra të mjekësisë, përbën jo vetëm trysni, nxitje tensioni dhe përpjekje për t’i frikësuar banorët atje, e cila ka vite që po përballet me spastrim etnik, administrativ nga regjimi autokrat në Serbi, por tregon edhe një provokim të hapur ndaj shtetit tonë të pavarur, Republikës së Kosovës.”, tha Kurti.
Kreu i ekzekutivit përmendi konkretisht praninë e njësisë së Brigadës 63 të Parashutistëve të Serbisë, duke rikujtuar se e njëjta njësi ka pasur rol në trajnim dhe mbështetje të grupit të armatosur që kreu sulmin në Banjskë. Kurti siguroi se institucionet e Kosovës mbeten vigjilente dhe të gatshme për çdo skenar, ndërsa i kërkoi komunitetit ndërkombëtar të reagojë ndaj qasjes destabilizuese të Serbisë dhe të ndërmarrë masa konkrete për mbrojtjen e të drejtave të shqiptarëve në jug të Serbisë.
“Këto lëvizje ushtarake, të kombinuara me retorikën nxitëse të Presidentit të Serbisë, Vuçiq, se kinse Serbia po përgatitet për një sulm të mundshëm nga një aleancë Kroaci – Shqipëri – Kosovë, si dhe blerja e armatimit kinez dhe rus, konfirmojnë se Serbia po përdor ushtrinë si mjet shantazhi për të mbajtur rajonin e Ballkanit nën tension të vazhdueshëm.”, tha Kurti
Gjatë ditës së enjte, pas përurimit të rrugës Vushtri-Prishtinë, Kurti iu përgjigj edhe opozitës të cilët e akuzuan se me kompromiset për Ligjin për të Huajt dhe atë për Automjete po zyrtarizon Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Këto pesë vite sa jam unë kryeministër, shpeshherë eksponentë të opozitës kanë thënë që e bëri ‘Zajednicën’ këtë muaj, do ta bëjë ‘Zajednicën’ muajin e ardhshëm, por ju e dini që 5 vite janë 60 muaj, nuk ka ‘Zajednicë‘.”, tha Kurti
Kryeministri deklaroi se afate të ngjashme si kjo 3 muaj për shfrytëzimin e ID kartave të lëshuara nga strukturat paralele dhe leje qëndrimi deri në 12 muaj për ata që angazhohen në sistemin edukativ dhe shëndetësor paralel në veri, ka dhënë edhe për targat e automjeteve vite më parë.
“Kanë ngelur arsimi dhe shëndetësia, ato do t’i inkorporojmë, por që ta bëjmë këtë është e domosdoshme që një herë të kemi listën e të gjithë mësimdhënësve, të gjithë mjekëve, infermierëve, të cilët punojnë në këto struktura në sistemin arsimor.”, tha Kurti.
Në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u mbajt një minutë heshtje edhe për tre shqiptarët të cilët humbën jetën në një kantier ndërtimi në Vjenë.


