Ministri i Mbrojtjes së Kroacisë Damir Kërstiçeviq tha se ushtria kroate është e gatshme për “Stuhi” të reja.
“Për të gjithë ata që kanë pretendime për vendin tonë sot dhe që po planifikojnë të bëjnë diçka kundër Kroacisë, unë them se ushtria kroate është e gatshme për ‘Stuhi’ të reja sot. Unë nuk kërcënoj askënd, nuk dua, por ne jemi të gatshëm të mbrojmë vendin tonë”, tha ai me rastin e 24-vjetorit të operacionit “Stuhia”.
Ai tha se operacioni ‘Stuhia’ mposhti idenë e Serbisë së Madhe dhe zonat e okupuara u çliruan, ku agresori u përpoq të zhbëjë dhe të shkatërrojë gjithçka që qytetarët kroatë kishin ndërtuar me shekuj.
Falë këtij operacioni, shtoi ai, Knini mbeti një qytet kroat.
“Operacioni Stuhia është një simbol i suksesit tonë ushtarak dhe kurora e të gjitha fitoreve në luftën e atdheut. Pa “Stuhinë”, nuk do të kishte ri-integrim paqësor dhe kthim të Vukovarit dhe zonave të tjera,” tha Kërstiçeviq, duke shtuar se lufta për atdheun është themeli i shtetit modern kroat.