Qeveria ushtarake e Birmanisë, e cila erdhi në pushtet përmes puçit ndaj kryeministres së zgjedhur nga populli, do të lirojë mbi 23 mijë të burgosur të premten, në kohën kur në shtetin e largët po vazhdojnë protestat kundër këtij regjimi për të shtatën ditë me radhë.
Rreth 23.300 të burgosur pritet të fitojnë amnesti dhe të lirohen në Ditën e Bashkimit, që është ditë feste kombëtare që e shënon bashkimin e shtetit, tha përmes një deklarate gjenerali Min Aung Hlaing. Nuk dihet se për çfarë veprash janë burgosur personat që do të lirohen.
Ndonëse lirimi masiv i të burgosurve është i zakonshëm për festa kombëtare në Birmani, kjo është amnistia e parë e këtij lloji nga qeveria ushtarake, e cila më 1 shkurt e mori pushtetin përmes puçit, duke e larguar kryeministren e zgjedhur në mënyrë demokratike, Aung San Suu Kyi dhe duke arrestuar zyrtarë kyç të qeverisë.
Ushtria e justifikoi marrjen e kontrollit të vendit duke pretenduar se ka pasur parregullsi të shumta në zgjedhjet e nëntorit të vitit të kaluar, në të cilat për herë të dytë radhazi fitoi Lidhja Kombëtare për Demokraci, shkruan CNN.
Përpos lirimit të dhjetëra mijëra të burgosurve, ushtria tha se të burgosurve të dënuar për krimet e kryera para 31 janarit do t’u shkurtohet koha e qëndrimit në burg.
Këto shifra janë më të larta sesa të burgosurit e liruar për një ditë gjatë pushtetit të ish-presidentit Htin Kyaw, kishte falur vetëm 63 të burgosur, që ishin të burgosur politikë, në ditën e një feste kombëtare.