Dy futbollistët e Kombëtares shqiptare, Keidi Bare dhe Myrto Uzuni kanë dalë ditën e sotme në një konferencë për mediet, ku folën në lidhje me dy ndeshjet që Shqipëria do të zhvillojë ndaj Hungarisë dhe Polonisë, të vlefshme për kualifikueset e Kampionatit Botëror “Katar 2022”.
Kuqezinjtë u shprehën se do të futen në fushë për fitore, duke u ndalur fillimisht te ndeshja e parë me Hungarinë që do të luhet në Budapest, ndërsa më pas ndaj Polonisë në Tiranë, në stadiumin Kombëtar “Air Albania”.
Uzuni, i cili është në një formë mjaft të mirë, duke bërë paraqitje të shkëlqyera me Ferencvaroshin, teksa iu përgjigj interesit të gazetarëve u shpreh se jo vetëm ai por i gjithë ekipi do të japë maksimumin, ndërsa theksoi se është në kulmin e karrierës së tij. Duke qenë se Myrto Uzuni jeton në Hungari, ai tregoi edhe mbi atmosferën dhe se si po pritet kjo ndeshje atje.
“Ndihem në formën time më të mirë të karrierës time por mendoj se Kombëtarja është diçka tjetër dhe duhet të përqendrohemi dhe nuk ka rëndësi se kush luan, por të jemi të gjithë së bashku për të arritur objektivat”, tha Uzuni.
“Unë dua të luaj çdo ndeshje, pavarësisht klubit ose Kombëtares, dua të jap gjithmonë kontributin tim dhe maksimumin, por do të thosha që Hungarinë e njoh mirë. Do të ishte një ndjenjë tjetër për mua, pasi jetoj dhe stërvitem aty me lojtarë që do të luajnë kundër Shqipërisë”, u shpreh ai.
Uzuni tha se, “në Hungari ndihet shumë atmosfera e ndeshjes , pasi edhe lojtarët flasin, fizioterapistët. Të gjithë presin një ndeshje shumë të bukur dhe ata duan fitore, por mendoj se kush ekip do bëjë më pak gabime, ai ekip do fitojë”.
I pyetur nëse është avantazh për ne ndeshja pa tifozë, Uzuni u shpreh se, “mendoj se nuk është një avantazh për ne, pasi Hungaria kur ka luajtur pa tifozë ka pasur rezultate shumë të mira dhe kur ka qenë me tifozë ka pasur rezultate negative dhe mendoj se nuk është një favor, por në fushë janë të tre rezultatet”.
“Mendoj se tani është kulmi i karrierës sime pasi po bëj shumë mirë edhe në Europa League edhe te Ferencvarosh por edhe te Kombëtarja, në ndeshjen e fundit kam bërë mirë mendoj. Mendoj se kjo varet në fushë dhe sa i motivuar je”, theksoi Uzuni.
Për Hungarinë, Uzuni tha se, “është e njëjta Kombëtare që do të gjejmë edhe aty, por janë dy trajnerë italianë si Rossi dhe mister Reja. Ata kanë të njëjtën strategji si ne, luajnë me 5-3-2 dhe mendoj se do jetë një ndeshje e bukur dhe e luftuar. Ekipi që do japë zemrën dhe shpirtin në fushë ka për të fituar”.
I pyetur nëse janë 4 pikë të mjaftueshëm për ne, Uzuni u shpreh se, “trajneri ka llogaritë e tij, por në mentalitetin tim unë nuk hyj për barazim në fushë, por gjithmonë për fitore dhe të jap maksimumin”.
Edhe Bare, futbollisti kuqezi që luan në La Liga, në radhët e Espanjolit foli për dy ndeshjet e radhës, për skuadrën kuqezi, marrëdhënien me trajnerin Reja si dhe për formën e mirë që po kalon tek ekipi spanjoll. Ai theksoi në fjalën e tij se pikësynimi i kuqezinjve është vendi i dytë.
“Në Kombëtare vij gjithmonë me shumë siguri pasi kam besimin te lojtarët e tjerë dhe te trajneri. Tek Espanjoli po shkojnë gjërat shumë mirë siç e keni parë, kam luajtur rregullisht dhe shpresoj që të vazhdoj kështu”, tha Bare.
Për mënyrën e lojës me Kombëtaren dhe klubin, Bare tha se, “ka të bëjë shumë ekipi, pasi me Kombëtaren është sistem tjetër dhe luaj në rol tjetër, ndërsa me klubin kam sistem tjetër dhe roli im është para mbrojtjes. Jam më shumë në kontakt me topin, por për mua është njësoj, jap maksimumin si këtu edhe tek Espanjoli”.
I pyetur nëse është e vështirë për të luajtur në La Liga, Bare theksoi se, “kam luftuar dhe punuar shumë për të arritur këtu ku jam. Nuk është e lehtë që një shqiptar të arrijë në këto nivele, por më e rëndësishmja është që të vazhdoj me këtë ritëm. Për të arritur mund të arrijë çdo lojtar, por për të qëndruar dhe për të kaluar më lart është pak më e vështirë. Me punë dhe seriozitet arrihet çdo gjë”.
“Kombëtarja e sotshme po zhvillon ndeshje shumë të mira dhe shpresoj që edhe ndeshjet në vazhdim të bëjmë të njëjtën gjë. Pikësynimi ynë është të arrijmë vendin e dytë dhe pse jo të mos shkojmë në Botëror. Këto gjëra duan përqendrim dhe të bëjmë gjërat mirë dhe ato që na thotë trajneri. Besoj se do ia arrijmë qëllimit, pavarësisht se janë ndeshje shumë të vështira”, tha Bare.
Për marrëdhënien me trajnerin Reja, Bare theksoi se, “Reja më ka mësuar shumë, si të vendosem në fushë, si të vrapoj me dhe pa topin dhe ndihem shumë mirë me misterin, por nuk është vetëm ai, por i gjithë grupi që kemi. Shpresoj të vazhdojmë me këto ritme dhe i them misterit shumë faleminderit”.
Bare u shpreh se, “do të futemi në këto ndeshje për të fituar dhe për të arritur qëllimet tona”.