Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ka akuzuar qeverinë se nuk ka një plan konkret për vaksinimin.
Përmes një deklarate për mediet, nga selia e LSI, nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, ka kërkuar nga ekzekutivit të flasë konkretisht.
“Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka njoftuar që më 27 dhjetor, më në fund, të gjitha vendet evropiane fillojnë vaksinimin. Sigurisht shqiptarët janë evropianë si gjithë evropianët e tjera dhe Shqipëria formalisht është edhe një vend kandidat për në Bashkimin Evropian”, tha Vasili.
“Sot, në këtë moment shumë delikat, ka disa pyetje shumë të rëndësishme që sigurisht që lidhen vetëm me qeverinë e Shqipërisë dhe me Ministrinë e saj të Shëndetësisë si pjesë e qeverisjes, përgjigjet e të cilave shqiptarët i presin me padurim. Së pari, shqiptarët duan të dinë kur fillon vaksinimi i qytetarëve shqiptarë? Sot nuk ka asnjë datë, as të afërt e as të largët lidhur me këtë çështje dhe për muaj të tërë në horizont nuk ka asnjë indikacion apo shpresë që ky vaksinim të fillojë”, – vijoi Vasili.
“Sigurisht që dihet edhe nga ato informacione të pakta që qeveria jep që është negociuar me COVAX-in, një mekanizëm përkatës i lidhur me OBSH-në për të vaksinuar 20 për qind të popullatës. Pyetja e madhe që bëjnë tërë shqiptarët është: Po pjesa e mbetur e popullsisë? Sepse ky është një vaksinim i tërë popullatës së një vendi. Po mbi 75 për qind të tjerë si dhe kur vaksinohen? Pandemia nuk zgjedh. Ajo ka goditur fort personelin shëndetësor, ka goditur moshat e avancuara por edhe mjaft mosha të reja”, – tha Vasili.
“E meqë bëhet fjalë për vaksinimin, kurdo që të ndodhë, Shqipëria është një vend i varfër, me resurse jo të mëdha. Pra që sot fillon përgatitjet për t’i dalë përpara një aksioni kombëtar vaksinimi, që për dimensionin e tij është ndoshta më i madhi që mund të jetë përballuar një historinë e sistemit vaksinimit shqiptar. Pra kërkon mobilizime të jashtëzakonshme fuqish dhe logjistike”, tha Vasili./ATSH/