Infektologu Ilir Tolaj vlerëson se vaksinimi i fëmijëve të moshës nga 7 deri 18 vjet është i nevojshëm për të arritur imunitetin kolektiv, e që do të ndalonte edhe rritjen e rasteve me COVID-19.
Ditët e fundit numri i rasteve ka vazhduar të rritet dukshëm, ndërsa janë mbushur edhe spitalet me pacientët e prekur nga COVID-19.
Tolaj në një intervistë për “Ekonomia Online”, ka thënë se pasi të arrihet imuniteti kolektiv edhe me vaksinimin e fëmijëve, atëherë mund të aplikohet edhe doza e tretë e vaksinës. Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se po përgatiten për furnizim për aplikimin e dozës së tretë.
Në disa shtete ka filluar të aplikohet doza e tretë e vaksinës, ku po rekomandohet për personat që kanë imunitet të dobët.
“Për Kosovën është e rëndësishme që pjesa më e madhe të jetë e përfshirë me dy dozat e vaksinës, kur e them këtë që të përfshihen edhe fëmijët nga mosha 7 deri në 18 vjeç, në mënyrë që ta kompletojmë së pari këtë vaksinimin bazik prej dy dozave dhe së bashku me ata të cilët e kanë kaluar sëmundjen, të krijojnë një imunitet kolektiv i cili do ta ndalojë hovin e pandemisë dhe të na parandalojë ndaj një vale të re e cila mund të shfaqet, duke përfshirë këtu edhe fëmijët. Pasi që të jetë arritur ky qëllim atëherë është e mundur dhe që të fillohet edhe me dozën e tretë dhe tash për tash autoritetet shëndetësore dozën e tretë e rekomandojnë vetëm për rastet që janë të dokumentuara se kanë një defekt në imunitet”, tha Tolaj.
Se sa është e sigurt vaksina anti-Covid, Tolaj thotë se asgjë nuk është absolute, por vet fakti se në Kosovë ende nuk ka vdekur asnjë i vaksinuar nga Covid-19, ai thotë se kjo tregon edhe efektin e vaksinës.
Tolaj, vaksinimin po e sheh të vetmen rrugë për të parandaluar zhvillimin e infeksionit dhe për t’u mbrojtur nga vdekja.
E nëse institucionet përkatëse nuk tregohen të suksesshme gjatë procesit të vaksinimit, atëherë vala e tanishme e Covid-19 mund të vazhdojë, por që Tolaj nuk e përjashton edhe mundësinë e një vale tjetër në vjeshtë, apo të një varianti të ri nëse është e madhe përqindja e popullatës që ende nuk e kanë kaluar infeksionin apo që nuk janë vaksinuar.
“Nëse nuk jemi të suksesshëm në vaksinim, atëherë mund të kemi një vazhdim të kësaj vale pak më gjatë se zakonisht ndërsa mos përfshirja me vaksinim është e qëndrueshme në aspektin kohor atëherë mund të kemi valë tjetër, dhe nëse ka përqindje të popullatës që nuk e kanë kaluar infeksionin dhe nuk janë vaksinuar gjithnjë do të ekzistojë rreziku që një variant i ri do të përfshij atë pjesë të popullatës”, tha Tolaj.