Franca
Franca ka thënë se mund të detyrohet të vendosë izolime të reja, Italia pritet të ndalojë festat private dhe bizneset në Republikën Çeke po kërkojnë mbështetjen e shtetit për të lehtësuar ndikimin e kufizimeve të reja, ndërsa vala e dytë e Covid-19 në Evropë, vazhdon të intensifikohet.
Kryeministri francez, Jean Castex, të hënën u bëri thirrje njerëzve të kufizojnë grumbullimet në shtëpitë e tyre, duke thënë se shtimi i fundit i infeksioneve të reja në vend po fut sistemin spitalor në një mbingarkesë gjithnjë e më të madhe. Presidenti Emmanuel Macron do t’i drejtohet kombit të mërkurën për veprime të mundshme të mëtejshme, për të luftuar koronavirusin.
“Nëse gjatë dy javëve të ardhshme shohim që treguesit përkeqësohen, nëse shtretërit e kujdesit intensiv mbushen edhe më shumë nga sa presim, me të vërtetë do të marrim masa shtesë,” tha Castex, duke shtuar: “Asgjë nuk mund të përjashtohet, duke pasur parasysh atë që po shohim në spitalet tona”.
Ai përsëriti se “mund të jetë e mundur” shmangia e një bllokimi të dytë në të gjithë vendin, por tha se virusi do të jetë këtu “edhe për disa muaj” dhe nxiti publikun francez të “respektojë masat e mbrojtjes” në shtëpi. “Të vetmit që mund të rregullojnë hapësirat private janë vetë njerëzit,” tha ai.
Shumë njerëz nuk po arrijnë të vlerësojnë se “vala e dytë është këtu”, shtoi Kryeministri, duke vënë në dukje se dy qytete të tjera, Toulouse dhe Montpellier, u vunë në gatishmëri maksimale të dielën vonë – duke e çuar totalin në nëntë.
Në veçanti, ai vuri në dukje Parisin dhe rrethinat e tij, ku agjentët kryen 500 kontrolle gjatë fundjavës për të siguruar që baret ishin mbyllur sipas urdhërit, dhe restorantet po siguronin masat e distancimit social, duke rezultuar në 95 gjoba.
Agjencia kombëtare e shëndetit raportoi një rekord të gati 27,000 rasteve të reja të përditshme të virusit të shtunën, pasuar nga më shumë se 16,000 të dielën. Përqindja e testeve pozitive gjithashtu u rrit në 11.5%, dyfishi i normës së tre javëve më parë.
Drejtori i autoritetit rajonal shëndetësor të Parisit, Aurélien Rousseau, tha se përqindja e testeve pozitive në dhe rreth kryeqytetit francez ishte rritur edhe më shumë, tashmë 17%, dhe virusi po përhapet veçanërisht shpejt tek të rinjtë.
Italia
Italia, ndërkohë, po planifikon të ndalojë festat private dhe të kufizojë numrin e të ftuarve në dasma dhe funerale, në mesin e kufizimeve të reja që synojnë të frenojnë një rritje të infeksioneve të koronavirusit, sipas një projekt-dekreti të parë nga Reuters.
Dekreti ndalon njerëzit të presin më shumë se 10 mysafirë në shtëpitë e tyre ose në ndonjë ambient tjetër privat dhe gjithashtu thotë se jo më shumë se 10 të ftuar do të lejohen në dasma dhe jo më shumë se 15 në funerale.
Italia tejkaloi 5,000 raste të reja Covid-19 në një ditë të vetme të premten, për herë të parë që nga marsi dhe infeksionet ditore mbetën mbi atë nivel të shtunën dhe të dielën. Vdekjet e lidhura me Covid-in janë shumë më të ulta, normalisht nën 30 krahasuar me kulmin e mbi 900 në ditë, në mesin e pandemisë.
Në Romë, katër pjesëtarë të Gardës Zvicerane – të cilët ofrojnë roje ceremoniale dhe ndihmojnë në mbrojtjen e Papa Françeskut 83-vjeçar – dolën pozitivë të hënën, tha Vatikani. Ata janë në izolim ndërsa po gjurmohen kontaktet e tyre.
Republika Çeke
Në Republikën Çeke, bizneset, institucionet e artit dhe objektet sportive kanë kërkuar mbështetjen e shtetit pasi qeveria njoftoi kufizime të reja që pritet të sjellin dëme të mëtejshme ekonomik, duke përfshirë mbylljen e teatrove, kinemave dhe qendrave të sportit dhe palestrave. Restorantet dhe pub-et duhet të mbyllen deri në orën 20:00.
Ministria e Shëndetësisë raportoi 59,920 raste aktive të Covid-19 të hënën, me një rekord ditor prej 8,615 infeksionesh të reja të raportuara të premten. Shtrimet në spitale gjatë javës së kaluar janë dyfishuar.
Rusia
Moska filloi zbatimin e masave për të mbajtur një të tretën e punonjësve të zyrave në shtëpi, ndërsa Rusia vazhdon të raportojë numra rekord të rasteve të reja. Kryetari i kryeqytetit, Sergei Sobyanin, tha se kjo javë do të ishte “vendimtare” në luftën e kryeqytetit kundër virusit.
“Ka gjithnjë e më shumë njerëz në spitale dhe numri i njerëzve në një gjendje shumë të rëndë po rritet,” tha ai në fundjavë, por këmbënguli që një vaksinë e prodhuar nga Rusia do të ishte gati për “shpërndarje masive” në muajt e ardhshëm.
Moska vendosi një izolim të rreptë në pranverë, por masat u relaksuan në qershor. Të hënën u raportuan më shumë se 13,000 raste të reja, duke e çuar numrin e përgjithshëm të infeksioneve në rreth 1.3 milion, me rreth 22,000 vdekje të regjistruara.
Më shumë se 10,000 njerëz kanë marrë pjesë në testet për vaksinën Sputnik V të Rusisë, njoftoi agjencia e lajmeve Interfax. Presidenti, Vladimir Putin, njoftoi në gusht se vaksina ishte aprovuar dhe ishte e sigurt për përdorim, para se të kishte kaluar fazën përfundimtare të testeve.
Jashtë Evropës, Irani theu rekordin e tij një ditor për vdekje të reja dhe infeksione për të dytën ditë me radhë, me 272 persona të konfirmuar të vdekur dhe më shumë se 4,200 raste të reja.
Universitetet dhe shkollat e rihapura kohët e fundit, si dhe bibliotekat, xhamitë, kinematë, muzetë dhe sallonet e bukurisë në zonat më të goditura, janë urdhëruar të mbyllen përsëri, ndërsa që nga e shtuna maskat kanë qenë të detyrueshme jashtë dhe në vende publike në Teheran. / bota.al