Granit Xhaka thotë se lojtarët dhe tifozët duhet ta trajtojnë njëri-tjetrin me më shumë ndershmëri dhe respekt, pasi e pranoi se ishte afër të hiqte dorë nga Arsenali për shkak të, siç theksoi ai, urrejtjes së pastër ndaj tij.
Mesfushori shqiptar Xhaka tha se valixhet i kishte bërë gati pas kacafytjes së inatosur me tifozët e Arsenalit në tetor të vitit 2019.
“Kur i mbyll sytë tani, mund t’i shoh fytyrat e tyre. Mund ta shoh zemërimin e tyre”, tha Xhaka për Players Tribune.
“Pasaportën e bëra gati. Mes meje dhe Arsenalit kishte marrë fund. Kishte mbaruar”, shpjegoi mesfushori nga Podujeva, i cili e përfaqëson Zvicrën në arenën ndërkombëtare.
Xhaka kishte reaguar ashpër ndaj tifozëve duke ua ngritur dorën dhe duke e vendosur gishtin në vesh në mënyrë ironike, si dhe duke shkëmbyer fjalë plot inat e duke e hedhur fanellën e tokë rrugës drejt tunelit të dhomave të zhveshjes.
“Sapo isha nisur [për të dalë nga fusha] kur i dëgjova fishkëllimat. Dhe nuk ishin vetëm disa veta në qoshe – ishin shumë njerëz. U trondita. Kurrë në jetën time nuk kisha përjetuar diçka të tillë”, tregoi Xhaka.
“Kjo është urrejtje. Urrejtje e pastër. Dhe nuk jam duke e tepruar kur e them këtë”.
“Ta ndiesh atë shkallë të urrejtjes dhe mungesës së respektit – nuk do t’ia dëshiroja as armikut tim më të keq. Sot e asaj dite, nëse humbim, e urrej t’i bëj ato metrat e fundit drejt tunelit, sepse ende i njoh ato fytyra. Njerëzit e njëjtë ulen aty. Prandaj, tani e mbaj kokën ulur poshtë. E përjetova atë ankth një herë. Nuk dua ta përjetoj kurrë më”, nënvizoi ai.
Një ndër kritikat që Xhaka i merr vazhdimisht nga tifozët e Arsenalit është mungesa e disiplinës, pasi 29-vjeçari është ndëshkuar pesë herë më kartonë të kuq që prej se iu bashkua klubit nga Monchengladbach më 2016.
Xhaka këmbëngul, megjithatë, se loja e ashpër është pjesë e futbollit dhe thotë se nuk do ta ndryshojë stilin e lojës.
“Kur humbim, e di çfarë thonë njerëzit për mua. Kur luajmë mirë, askush nuk thotë asgjë, por e di çfarë mendojnë njerëzit. Unë nuk e harroj atë që e dëgjoj. ‘Ai merr shumë kartonë. Ai po na e prish lojën’. Dëgjoni, kartonët kanë qenë pjesë e lojës sime gjithmonë. Edhe në Gjermani po ashtu.”
“Nëse e godas një lojtar me bërryl, do t’i kërkoj falje i parë. Por të bëjë ndërhyrje? Eja tani, ky nuk është balet”.
Xhaka përfundimisht vendosi të qëndrojë në Arsenal pas bisedimeve me trajnerin Mikel Arteta, i cili e pasoi të shkarkuarin Unai Emery vetëm dy muaj pas incidentit të kosovarit kundër Crystal Palace.
Ai e pranon se marrëdhëniet e tij me tifozët nuk do të jenë më kurrë të njëjta dhe ka bërë thirrje që t’i jepet fund abuzimeve ndaj futbollistëve.
“Është sikur një gotë e thyer. Mund ta bashkosh, por copëzat do të mbesin gjithmonë aty. Do të doja që ne ta kishim një marrëveshje më të mirë”.
“E kuptoj se ne nuk do të jemi kurrë më miqtë më të mirë, por shpresoj se do ta trajtojmë njëri-tjetrin me ndershmëri dhe respekt. Për 90 minuta, unë jam Granit Xhaka, mesfushor i Arsenalit. Por gjatë pjesës tjetër të javës jam një zviceran i cili jeton në Londër me bashkëshorten dhe dy fëmijët”.