Zëvendëspresidenti i Shteteve të Bashkuara, JD Vance, ka deklaruar se Rusia ka bërë lëshime të rëndësishme në lidhje me luftën në Ukrainë, duke treguar një ndryshim në qëndrimin e Moskës.
Sipas Vance, Rusia duket se ka hequr dorë nga synimi për të vendosur një regjim kukull në Kiev dhe është shprehur e gatshme të pranojë disa garanci sigurie për Ukrainën.
Në një intervistë për NBC, Vance u shpreh:“Mendoj se rusët i kanë bërë koncesione të rëndësishme Presidentit Trump për herë të parë në tre vjet e gjysmë të këtij konflikti. Ata kanë qenë të gatshëm të jenë fleksibël në disa nga kërkesat e tyre kryesore. Kanë diskutuar për atë që do të nevojitej për të përfunduar luftën”.
Megjithatë, Vance pranoi se një marrëveshje e plotë nuk është arritur ende, duke shtuar se “ne po angazhohemi në këtë proces diplomatik me mirëbesim; po përpiqemi të negociojmë sa më shumë që të jetë e mundur me rusët dhe ukrainasit për të gjetur një pikë të mesme që do të ndalonte vrasjet”.
Ai theksoi se Rusia ka pranuar se Ukraina do të ketë integritet territorial pas luftës dhe se Moska nuk do të jetë në gjendje të vendosë një regjim kukull në Kiev, që ishte një nga kërkesat kryesore të saj në fillim të konfliktit.
Gjithashtu, Rusia ka pranuar mundësinë e ofrimit të garancive të sigurisë për Ukrainën.
Megjithatë, Vance pranoi se Rusia nuk ka bërë asnjë lëshim lidhur me çështjen e territoreve.
Këto komente vijnë në një kohë kur Shtetet e Bashkuara po shtojnë përpjekjet diplomatike për të ndërmjetësuar një zgjidhje mes Rusisë dhe Ukrainës, me qëllim ndalimin e konfliktit të vazhdueshëm.