VAR-i do të përdoret në ndeshjen mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës

albnews
By
4 Min Read
Disclosure: This website may contain affiliate links, which means I may earn a commission if you click on the link and make a purchase. I only recommend products or services that I personally use and believe will add value to my readers. Your support is appreciated!

Sistemi i video-asistimit për arbitra (VAR), do të përdoret në ndeshjen gjysmëfinale të plejofit për kualifikim në “Euro 2020” në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, që zhvillohet muajin tjetër në Shkup.

Këtë e ka konfirmuar Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut (FFM), të martën në sajtin e saj zyrtar. Dueli mes Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës luhet më 8 tetor në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup dhe fillon në ora 20:45.

Vendimi për përdorimin e sistemit VAR është marrë pas kërkesës së UEFA-s. Konfederata Evropiane ka kërkuar asistencë për arbitrat në këto ndeshje të rëndësishme, të cilat përcaktojnë ekipet pjesëmarrëse në “Euro 2020” që do të mbahet vitin tjetër. Fituesi i ndeshjes Maqedonia e Veriut – Kosova, do të luajë në udhëtim me fituesin e gjysmëfinales tjetër të plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve, ndërmjet Gjeorgjisë dhe Bjellorusisë, për një vend në Kampionatin Evropian.

Finalja e plejofit të Ligës D të Ligës së Kombeve është e paraparë të zhvillohet më 14 nëntor. Federata e Maqedonisë së Veriut ndeshjen me Kosovën e ka vlerësuar si një prej më të rëndësishmeve, duke shtuar se pret që mos të ketë probleme me implementimin e teknologjisë VAR.

“Përfaqësuesja A e Maqedonisë më 8 tetor në orën 20:45 përballet me Kosovën në arenën nacionale ‘Todor Proeski’ në Shkup, në ndeshjen e gjysmëfinales së Ligë së Kombeve për kualifikim në Kampionatin Evropian. Në një prej ndeshjeve më të rëndësishme për përfaqësuesen e vendit, në arenën nacionale do të përdoret edhe sistemi VAR, video-teknologjia për ndihmë për vendimet e arbitrave”, thuhet në njoftimin e federatës së Maqedonisë së Veriut. “Për shfrytëzimin e sistemit VAR në një stadium të caktuar nevojitet të bëhet testimi për të konfirmuar se teknikisht mund të shfrytëzohet video-teknologjia. Miratimin për shfrytëzimin e sistemit VAR e sjell FIFA, ndërsa gjithë kjo është e lidhur me Rregulloren e lojës së futbollit”. Sipas FFM-së, testimi i sistemit VAR do të bëhet një ditë para ndeshjes ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës. Sistemi do të testohet edhe pak orë para ndeshjes. Nëse do të ketë probleme teknike për implementimin e këtij sistemi, atëherë VAR-i nuk do të përdoret fare gjatë ndeshjes për t’i ndihmuar arbitrat në marrjen e vendimeve. “Në arenën nacionale ‘Todor Proeski’ do të kryhet testimi për shfrytëzimin e teknologjisë VAR një ditë para ndeshjes me Kosovën pas një mbledhje paraprake në të cilën do të marrin pjesë përfaqësues të Federatës së Futbollit të Maqedonisë, përgjegjësit për sistemin VAR për ndeshjen Maqedoni – Kosovë dhe përfaqësues të firmës ‘HAWKEYE’ e cila është e zgjedhur nga UEFA si kompani zyrtare për implementimin e sistemit VAR në garat nën organizim të UEFA-s”, ka vazhduar njoftimi i FFM-së. “Ditën e ndeshjes do të bëhet testimi për sinkronizim (pajisjet në stadium me makinën VAR), ndërsa testimi i fundit do të bëhet dy orë para fillimit të ndeshjes. Në rast të problemeve teknike në implementimin e sistemit VAR gjatë ndeshjes, atëherë video asistenca në marrjen e vendimeve të arbitrave nuk do të shfrytëzohet”. Gjatë kësaj jave si Maqedonia e Veriut ashtu edhe Kosova pritet t’i publikojnë listat e futbollistëve për ndeshjet e muajit të ardhshëm, përpara se ta fillojnë grumbullimin të hënën e ardhshme. Për të dy përfaqësueset është ndeshja më e rëndësishme në histori. Do të luhet pa prezencën e shikuesve.

Share This Article