Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se numri i infeksioneve me variantin britanik është përafërsisht duke u dyfishuar çdo javë në Gjermani.
“Mund të presim që ky variant mund të bëhet varianti mbizotërues këtu”, tha Spahn në një konferencë për gazetarë.
Insituti “Robert Koch” analizoi një mostër përfaqësuese të mbi 23.000 testeve pozitive PCR dhe vlerësoi se mutacionet e virusit janë duke u përhapur shpejt në Gjermani, shkruan CNN.
“Varianti i virusit që na shqetëson veçanërisht është ai që u zbulua së pari në Britaninë e Madhe. Dy javë më parë, ky variant përbënte më pak se 6 për qind të rasteve, tani përbën mbi 22 për qind”, shtoi ministri Spahn.
Sidoqoftë, varianti i Afrikës Jugore është shumë më pak i pranishëm apo vetëm 1.5 për qind. Për fat të mirë, numri i përgjithshëm i rasteve në Gjermani ka shkuar duke u zvogëluar, tha Spahn.
Sipas këtij ministri, mbi 6.8 milionë doza të vaksinës kundër Covid-19 janë shpërndarë te autoritetet shëndetësore deri më tani, ndërsa deri në fund të javës së ardhshme do të shpërndahen 10 milionë doza.