Më 29 janar të këtij viti, janë konfirmuar 3 rastet e para të infektuara me variantin anglez të COVID-19. Ky variant ka qenë prezent në vend që nga 5 janari, derisa infektologë në vend thonë se ai do të mbizotërojë në Kosovë
Nga 5 janari, varianti i ri anglez i koronavirusit ka qenë prezent në Kosovë. Tek më 29 janar është kuptuar prezenca e këtij mutacioni. Duke e ditur që varianti i virusit ka qenë i pranishëm në vend që nga fillimi i këtij viti, vlerësohet se më shumë se 3 raste janë infektuar me të. Ndërsa, infektologët thonë se përhapja e këtij varianti është shumë e shpejtë, andaj edhe pas një kohe ai do të bëhet dominues në vend.
Infektologu, Hamdi Ramadani, ka thënë për Express se vaksinimi i qytetarëve sa më shpejtë është shumë i domosdoshëm.
Ai ka theksuar se varianti i ri i koronavirusit mund të jetë më i theksuar dhe më i përhapur në vend.
“Unë kam qenë i sigurt që edhe Kosova e ka variantin e ri të virusit. Kjo formë e re është normale për shkak se janë bërë 11 muaj që ne jemi me pandeminë. E rëndësishme është që njerëzit t’i përmbahen masave dhe është e rëndësishme që të startohet me vaksinën. Po të fillonte në shkurt vaksinimi, pas 3 muajve vendi do të kishte një kahje më ndryshe prej kësaj gjendje të rëndë. Varianti i tanishëm i virusit mund të largohet dhe varianti i ri të bëhet dominues në vend nëse nuk intervenohet”, ka thënë ai.
Ramadani ka treguar se simptomat e variantit të ri të koronavirsit janë të njëjta me ato të variantit aktual, derisa ka qenë që shpërndarja e tij është më e shpejtë.
Ndërsa, ai ka thënë se është urgjente që sa më shpejt të filloj vaksinimi dhe imunizimi i qytetarëve, siç po bëjnë edhe shtetet tjera, në mënyrë që të shpëtohen jetët e njerëzve.
Në anën tjetër, edhe mikrobiologu Lul Raka ka thënë se varianti i ri i koronavirusit mund të ketë përhapje të mëtutjeshme në vend.
Ai ka thënë se tre rastet e para të konfirmuara e kanë marrë infektimin nga dikush tjetër, derisa edhe kanë mundur ta kalojnë atë te persona tjerë.
“Zyrtarisht i kemi rastet e para të infektuara në Kosovë. Këto mostra të cilat kanë dalur pozitive kanë qenë pozitive me 5 janar. Mund të ketë përhapje të mëtutjeshme sepse personat që janë infektuar janë infektuar nga dikush, pastaj është e pritshme që ata e kanë infektuar dikë prej familjarëve apo rrethit”, ka thënë ai.
Raka ka thënë se varianti i ri i Britanisë është bërë dominues shumë shpejt në këtë shtet.
Ai ka deklaruar se variantet e reja të koronavirusit përhapen shumë më lehtë, andaj edhe një numër më i madh i qytetarëve do të infektohen.
“Variantet e virusit janë të ndryshme. Varianti i Britanisë është bërë dominues për 2-3 muaj. Ndërsa është edhe varianti i Afrikës së Jugut që është edhe më i përhapur se ai i Britanisë. Nëse variantet kanë përhapje më të lehtë një numër më i madh i qytetarëve do të infektohet. Edhe rastet e para që janë shfaqur në Kosovë ekziston mundësia sepse e tillë është natyra e virusit që të përhapet”, ka shtuar ai.
Ndërsa, nga Ministria e Shëndetësisë kanë thënë për Express se sipas informatave që kanë marrë nga IKSHPK, nga tre pacientët e konfirmuar pozitiv me COVID-19, dy janë shëruar dhe janë gjurmuar kontaktet e tyre.
Nga kjo ministri është thënë se do të vazhdojnë të mbahen në fuqi masat e ndërmarra mëheret nga MSH dhe Qeveria.
Në anën tjetër, kjo e fundit është kritikuar nga ish-anëtarë të Komisionit Parlamentar për Shëndetësi.
Ish-deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili ka qenë anëtarë i këtij komisioni, ka thënë për gazetën se është skeptik që masat e ndërmarra janë duke funksionuar si duhet.
Ai ka thënë se koronavirusi duhet të jetë prioritet i secilës qeveri si dhe duhet të parandalohet përhapja e tij.
“Unë jam skeptik që masat janë duke funksionuar si duhet. Nuk kemi një inspektim të mirëfilltë të respektimit të masave. Edhe qytetarët janë liruar nga presioni dhe jemi në një fazë që edhe ne si politikan nuk kemi dhënë mesazhin më të mirë për respektim të tyre. Vendet tjera tashmë kanë hyrë në një zonë rreziku. Jo veç varianti i ri por COVID-19 duhet të jetë prioritet i secilës qeveri”, ka shtuar ai.