41 emigrantë humbën jetën pasi varka metë cilin ishin nisur nga Sfax në Tunizi, u përmbys pranë ujërave të Lampeduzës dhe u mbyt gjatë lundrimit në kanalin e Siçilisë. Janë 4 të mbijetuar, 3 burra dhe një grua, që bënë të ditur tragjedinë e re në ujërat e Mesdheut. Ata rrëfyen për mediat lokale se varka me 45 persona në bord, përfshirë 3 fëmijë, ishte nisur nga qyteti port i Sfax në Tunizi të enjten e kaluar, por ishte mbytur pak orë më vonë pas një dallge të madhe.
Të mbijetuarit, me origjinë nga Bregu i Flidishtë dhe Guinea, thanë se ishin shpëtuar nga një anije mallrash dhe më pas ishin zhvendosur tek një anije e rojes bregdetare italiane, duke mbërritur në Lampeduza të mërkurën.
Roja bregdetare italiane raportoi dy raste të mbytjes së anijeve në zonë të dielën, por nuk është e qartë nëse ndonjëra prej tyre ka lidhje me tragjedinë e zbuluar rishtazi.
Autoritetet tuniziane thanë se Sfax, një qytet port rreth 130 km larg Lampeduzës është një pikënisje e preferuar nga emigrantët në kërkim të sigurisë dhe një jete më të mirë në Europë. Gjatë ditëve të fundit, anije patrullimi italiane dhe grupe aktivistësh kanë shpëtuar rreth 2 mijë persona të tjerë, që kishin mbërritur në Lampeduza.
Sakaq, mbi 1800 emigrantë, kanë humbur jetën deri më tani gjatë këtij viti, ndërsa përshkonin itinerarin e rrezikshëm nga Afrika e Veriut në Europë.