Albania
Vatikani zbulon dokumentin ku Skënderbeu është shpallur mbret
Vatikani zbulon një dëshmi sekrete të historisë shqiptare. Për herë të parë del në drite dokumenti ku është shpallur Skënderbeu mbret. Një akt diplomatik, mandat, në të cilin emërohet Martin Muzaka ambasador i Skënderbeut. Është një letër origjinale në pergamen me një vulë shtetërore të varur, që ruhet në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin; Miscellanease, volumi XXXIX, dokumenti 2398, nga viti 1458. Pikërisht në këtë mandat Skënderbeu quhet “mbret”. Ka qene dr. Musa Ahmeti një hulumtues i ka kohshëm i arkivave të Vatikanit që ka publikuar mandatin e mbretërisë shqiptare.
Si u gjet vula e mbretit
Hulumtimet nëpër arkiva e biblioteka të ndryshme, kanë mundësuar zbulime të reja të këtyre akteve, për të cilat më parë është menduar se janë zhdukur apo nuk kanë ekzistuar fare. Duke u nisur nga këto hulumtime, të kohëve të fundit, studiuesi nga Zagrebi, Ahmeti, në Arkivin Sekret të Vatikanit në fondin: Miscellaneae, nga viti 1458, zbulon një mandat (akt diplomatik) origjinal të Skenderbeut, me të cilin emerohet Martin Muzaka si përfaqësues i tij “legjitim dhe legal”.
“Dokumenti është i shkruar në pergamen. Ështe ruajtur mjaft mire”, pohon Ahmeti. Dokumenti ka dimensione: 68 x 92.5 cm. Në të janë të varura edhe dy vula origjinale. E para vula shtetërore e Skënderbeut dhe e dyta ajo e noterit Johannes Borcius de Grillis. “Ne na është bërë e njohur edhe një kopje e këtij mandati që ruhet po ashtu në Arkivin Sekret të Vatikanit, në Fondin: Diversa Cameralia, vëll. 30, f. 134r-v. Kjo kopje është e saktë dhe tepër besnike, pa asnjë lëshim nga ana e përshkruesit”, pohon studiuesi Ahmeti.
Kur u bë Skënderbeu mbret?
Ishte zgjedhur Rodoni, në jug të Shqiperisë, për të nënshkruar mandatin e mbretit. Sic shënohet nga origjinali, mandati është lëshuar më 28 tetor të vitit 1458. I drejtohet papës Piu i II-të, i cili kishte më pak se dy muaj që kishte filluar pontifikatin e tij (Piu i II-të fillon pontifikatin më 3 shtator të vitit 1458 dhe vdes më 15 gusht 1464). “Papa Piu njihej si luftëtar i rrëptë për mbrojtjen e fesë së krishterë edhe sa ishte Kardinal”, shkruan studiuesi Ahmeti. Një moment tjetër i rëndësishëm që tërheq vëmendjen te ky mandat është edhe pohimi i noterit publik Johannes Borcius de Grillis se ai “me urdhër dhe autorizim të mbretit…” dmth. Skënderbeun e quan Mbret. “Ky moment është tepër domethënës ngase edhe në vulën shtetërore të varur që e shoqëron këtë dokument e gjejmë të shkruar tekstin: Sigil (um)o Regni(ae) o Macedonia(e)o et oAlbania(e), që në gjuhën shqipe do të ishte: Vula e Mbretërisë së Shqipërisë dhe Maqedonisë”.
Skënderbeu trashëgon zyrën nga i ati, Gjoni
Nga dokumentet mendohet që zyra kancelarike që ishtë pranë Skënderbeut të ishte vazhdimësi e të njëjtës zyrë, e cila funksiononte te i ati Gjon Kastrioti. Sipas Ahmetit, flitet që kjo zyrë daton në shek XIV dhe fillimi i shek. XV. “Natyrisht që kancelaria e Skënderbeut ishte shumë më moderne dhe ju ishte përshtatur rrethanave dhe kohës kur vepronte.
Sipas hulumtimeve të bëra, kemi në dorë një të dhënë tepër interesante, se nga zyra e Skënderbeut, ka ndodhur që brenda një dite të nxirren 13 akte të ndryshme diplomatike, të shkruara në 5 gjuhë. Kjo e dhënë tregon se cili ishte komunikimi i Heroit tonë kombëtar me shtetet tjera mesjetare dhe me fqinjët, si dhe roli shume i rëndësishëm që luante kjo diplomaci në ruajtjen e pavarësisë shtetërore dhe teritoriale”, shpjegon studiuesi Ahmeti.
Historia e kancelarive shqiptare
Gjatë mesjetës, sundimtarët dhe princërit shqiptare kishin zyrat e tyre të kancelarive në nivele të ndryshme si noterë, sekretarë apo përkthyes. Këto zyra ishin mjaft të zhvilluara dhe mund të renditen në radhën e kancelarive të ngjashme më të njohura, në Evropë, gjë që tregonte për nivelin e lartë të zhvillimit dhe kujdesit që tregonin sunduesit shqiptare në komunikim me sundimtarët e tjerë. Nga këto zyra dolën akte, diploma, mandate dhe dokumente nga më të ndryshmet, në disa gjuhë që në atë kohe ishin në përdorim zyrtar. Porse deri me sot ka pak njohuri të mbledhura dhe që ekzistojnë për këto dokumenta orgjinale. Pjesa dërrmuese e tyre sic duket janë zhdukur përgjithmonë; pjesa tjetër pret hulumtuesit që ato t’i nxjerrin në dritë dhe t’i botojnë. Ndërsa vetëm në keto vite po hyhet në këtë mister dëshmish historike ku disa fakte të zbuluara rishtazi. Sipas studiuesit Ahmeti, karakteristike e përgjithshme e këtyre akteve të botuara është se ato nuk ndryshojnë nga ato te sundimtareve te tjere, fqinje apo evropiane. Zakonisht ne keto kancelari jane perdorur gjuhet kulturore te kohes si: latine, greke, sllave, italijane osmane dhe ndonje tjeter. Ndersa ende nuk ka asnje dokument qe eshte shkruar ne gjuhen shqipe nga aktet noteriale.
Hidhet poshte datimi i studiuesve shqiptare
Përmbyset nje nga datimet e nxjerra nga studiuesit shqiptare. Me zbulimin e mandatit te Skenderbeut nga Arkivat sekrete te Vatikanit, hidhet poshte data e shkruar deri me tani per kete document. Viti 1963 e vene nga studiuesit shqiptare nuk vlen me. Kjo date thuhet se eshte vendosur pa pasur ne dore dokumentin, as origjinalin dhe kopjen. Ndaj argumentohet gabim ky datim. Me daljen e mandatin te Skenderbeut nga nga Vatikani kjo date kalon rreth pese vite me perpara, pra ne vitin 1458, pra koha kur Gjergj Kastrioti shpallet mbret. Sic verehet nga origjinali, mandati eshte leshuar ne Rodon te Shqiperise me 28 tetor te vitit 1458. I drejtohet papes Piu i II-te, i cili kishte me pak se dy muaj qe kishte filluar pontifikatin e tij (Piu i II-te fillon pontifikatin me 3 shtator te vitit 1458 dhe vdes me 15 gusht 1464) dhe njihej si luftear i rrepte per mbrojtejn e fese se krishtere edhe sa
ishte kardinal.
Perkthimi ne gjuhen shqipe i mandatit nga viti 1458
Mandati i Skenderbeut per Papen
Duke qene se kohe me pare jemi njoftuar nga raporti i Martin Muzakes, keshilltarit dhe oratorit (zedhensit) tone, te cilin, kohe me pare e kemi dergue te shenjteria dhe fortlumturija e Tij Hyjnore, pape Piu i II-te; qe shenjteria e Tij, papa yne, duke u kujdesur per poziten e fese se krishtere, e cila eshte sulmuar nga fatkeqesia e njerzimit, tirani turk, Mehmeti (i II-te, m.a.) dhe bashkeluftaret e tij, armiq te emrit, i krishtere; duke deshiruar qe te ndihmoj me sherbimin e tij dhe t’iu vije ne ndihme forcave te tija; ka paralajmeruar, ftuar dhe shtytur nje numer te madhe te mbreterve te krishtere, qe te ofrojne sherbimet e tyre, per nje veper kaq te shenjte dhe te dobishme; dhe se duhet bere kete nga obligimi dhe pranimi i dobive qe kane ndaj fese se krishtere; ka ftuar shume mbreter te krishtere qe te bashkohen personalisht ose duke derguar perfaqesues te tyre me autorizime te plotefuqishme dhe
zyrtare.
Ne, Gjergj Kastrioti Skenderbeu, zot i Shqiperise, si te krishtere te mire, deshirojme te renditemi ne mesin e atyre besimtareve te krishtere, te permendur, duke u treguar besnike dhe sherbetore te denje; emrojme te lartepermendurin, Martin Muzaken, te i cili kemi besim te pakufishem dhe kofidence, per legalitetin e tij ndaj nesh, eksperiencen, ndershmerine, zotesine dhe pergaditjen e larte intelektuale; pikerisht te njejtin, Martin Muzaken, e veme, percaktojme dhe autorizojme qe sipas permbajtjes se ketij mandati te jete oratori (zedhenesi) dhe perfaqesuesi yne legjitim dhe legal; qe ne emer Tonin dhe per Ne te paraqitet prane te lartecekurit, shenjterise se Tij, papes tone dhe para shume te nderuarit Kolegj te Kardinaleve, ne Kongregacionin e permendur; dhe me mbreterit tjere apo me oratoret (zedhenesit) e tyre, aty, per te njejten problematike (teme) ose per ndihme fese sone te shenjte, e cila ne te shumten varet nga ata; per nder dhe emer te Zotit, te debatoje, te bisedoje, te jape mendim, te shqyrtoje dhe te nxierr perfundime, qe do te ishin ne favor te nje ndermarrje te tille ose te bente cdo gje qe eshte e mundur, duke pohuar, sajuar, bashkuar, mbledhur ose konkluduar, per nje veprim te tille; ne emer Tonin dhe per Ne, te marr obligime duke treguar ate qe eshte per tu lavderuar, lejuar dhe zbatuar; cka do te pranonin te gjithe te pranishmit, por edhe individualisht; dhe persa ka te bej me ne; ose sa do te kishte te bente me ne, si dhe per personalitetin Tone; me te mirat tona; token tone;
qytetet tona te fortifikuara; vendbanimet tona; keshtjellat tona dhe ne popullin tone; besniket tone te armatosur, ne njerzit tone, pjeserisht apo ne tersi; per te mbrojtur fene e krishtere dhe ne dem te armiqeve tone te permendur; siq do te verehet edhe nga mandati yne i hapur, te cilin e dergojme; dhe si mund te konkludohet, qe ligjerisht obligohemi,
qe me vulen tone, dhe me vulen e tij, me te cilen siguron per cdo premtim dhe obligim te bere; duke u pergjigjur me cfardo shume te hollash, si dhe me te gjitha te mirat tjera, te cfardo natyre qofshin ato, nga te gjithe personat, kolegjet apo bashkesite, duke mbeshtetur te permendurin, shenjterine e Tij, zotin tone, papen dhe Seline e Shenjte,shume te nderuarin Kolegj te Kardinaleve nga Kongregacioni i permendur, si dhe mbreterit, sundimtaret, dhe gjithe te tjeret, qe me forcen e nje marreveshje, per te cilen edhe ne jemi shume te interesuar, sic jemi deklaruar edhe me larte; dhe te gjitha keto i bejme personalisht;
pranojme paqen, veprojme dhe marrim nga te gjithe, pa dredhi, duke hequr cdo lloj dyshimi per mashtrim; ndersa juve, te lartepermendurit, te gjitheve dhe secilin, ju vejme dhe emrojme, duke dhene fjalen e sundimtarit (mbretit); duke shprehur devotshmerine, nderin dhe besnikerine tone; e konsiderojme si te perhersheme dhe premtojme: se te gjitha oblgimet tona do ti permbushim. Duke ju siguruar ju se, veprimet e permendura; obligimet; pa dredhi, te gjitha deri ne nje, per te cilat kemi dhene fjalen, permes oratorit (zedhenesit) ose ambasadorit tone Martin Muzakes, si te pohuara, shqyrtuara, paralajmeruara, debatuara dhe perfunduara, i pranojme dhe obligohemi per to.
Deshmine e te gjithe ketyre, e forcojme, duke urdheruar vulosjen me vulen tone te zakonshme, te varur. Leshuar ne Rodon, ne vendin e Shen Merise, ne prezencen e deshmitareve te ftuar dhe te lutur (nderuar); ne prezencen e shume te nderuarit ne
Krisht, atit dhe zotit Pal, me meshiren hynjore, kryeipeshkv i Durresit dhe i krahines se Ilirikut; dhe te nderuarit ate, Pjeter Dukes, abat prothosengulator (i betuar) ne Aleksandrin nga Moledina dhe shume te nderuarit vella Bardh, prior i Kuvendit te Shkodres nga Urdheri i predikuesve (domenikaneve) dhe nuncit apostolik ne Shqiperi, shume te nderuarit zotit Raione Celnicho.
Ne vitin e Krishtit, 1458, indikti i I-te, diten e 28 te tetorit. Noteri Grillis firmos boterisht mbreterine shqiptare
Une, Johannes Borcius de Grillis, prift i ipeshkvise se Durresit, notar publik me urdher dhe autorizim te mbretit, firmos te gjitha keto dhe secilen; isha prezent, per kete dhe i lutur; boterisht pohoj dhe firmos mandatin; por meqe isha i zene me pune, kam urdheruar qe te tjeret ta shkruajne; e une e kam firmosur me shenjen time te zakonshme, te notarit
publik dhe me emrin tim, se bashku me vulen varese te te lartepermendurit dhe shume te ndriturit zot Skenderbe, e kam forcuar besimin, me deshmine e gjithe kesaj dhe seciles, qe eshte permendur me
Albania
Vit sfidues
Opinion Nga Ilir Kalemaj
Viti që lamë pas ishte i mbarsur me sfida të shumta lokale, rajonale dhe globale. Fillimisht së brendshmi pamë gremisje të mëtejshme të standarteve demokratike, korrupsion endemik, sistemik dhe kapilar që i shartuar me krimin e organizuar na rezultoi deri në kapje shteti, duke tejkaluar skenarët më të çartur hollivudianë. Rrugë të florinjta që avullojnë para shqiptarësh, verë që shkon në miliona euro dhe fluturon natën me qilim magjik, më shumë se 40 hajdutë që hanë dardhe dhe kumbulla pas shpine të Ali babës, konkurrentë që merren peng ditën për diell nga policia që pushteti do dhe plot thagma të tjera të cilat vështirë se bëhen dhe filma gjetkë.
Përsa i përket situatës në rajon, Kosovo gjendet mes një kapërcyelli epokal që paraqet sa sfida aq edhe mundësi. Një vit për t’u harruar politik, me tre palë zgjedhje përfshirë dy sojesh parlamentare, me rreth 50 votime për të zgjedhur vetëm kryeparlamentarin, me dështimin e vetdijshëm apo jo të Kurtit për të formuar qeveri, me një sjellje ngurruese dhe pa strategji të qartë opozitare për mos të lënë vendin pa qeveri, me palët politike që rrekeshin të përftonin kapital politik ndërkohë që republika e re ballafaqohej me kriza ekzistenciale. Përsa i përket faktorëve ndërkombëtarë, nga njëra anë kemi SHBA-në, e cila jo më larg se shtatori i këtij viti njoftoi për një pezullim të pacaktuar të dialogut të planifikuar me vendin si një shuplakë të drejtuar qeverisë kujdestare Kurti, ndërkohë që masat ndëshkuese (dhe në thelb të padrejta të BE-së) pritën vetëm fundin e vitit për t’u hequr duke i shkaktuar vendit një kosto jo të vogël financiare, ekonomike por edhe me pasoja sociale. Gjithsesi me zgjedhjet e sotme, shpresa është që republika e re e Kosovës të kthehet në shinat e normalitetit politik, qëndrueshmërisë institucionale, demokracisë përfaqësuese si e vetmja “lojë në qytet” dhe shtimit të ritmit të integrimeve euro-atlantike. Kjo do të jetë dhe barra e provës dhe testi i qeverisë së re që me shumë gjasa do të jetë qeveri koalicioni, ku shanset më të mëdha anojnë nga Vetvendosja si parti e parë për të krijuar qeveri kësaj radhe me partnerë një nga partitë kryesore të opozitës, me gjasë PDK-në.
Ndërkohë politikës së uljes në shumë karrige të Serbisë, duket se po i vjen fundi, pas sanksionimit të NIS, gjuhës së ashpër të Washingtonit ndaj Vuçiqit, ngrirjes së procesit të hapjes dhe përmbylljes së grupkapitujve të negociatave, qorrsokakut të vetdijshëm në lidhje me normalizimin dhe njohjen reciproke me Kosovën, krizën e brendshme si rezultat i protestave pa ndalim dhe ekspozimit të korrupsionit shtetëror. Nga ana tjetër, situata në Bosnjë-Herzegovinë duket e ngecur, me të vetmin zhvillim pozitiv “shuplakën” ndaj Dodik-ut dhe largimit të tij por edhe retorikës së ashpër separatiste që vendoste nën presion të vazhdueshëm Sarajevën dhe testonte limitet e institucioneve të brishta. Maqedonia e Veriut vijon të jetë e kushtëzuar nga Bullgaria përsa i përket procesit të integrimit evropian, ndërsa Mali i Zi merr notën e vetme kaluese në rajon në lidhje me shpejtësinë dhe cilësinë e reformave pavarësisht problemeve të brendshme politike, që mendohet se do t’i hapin rrugën e integrimit të plotë në BE në harkun e viteve 2028-2030.
Për Shqipërinë, ndonëse ky ka qenë premtimi elektoral i socialistëve të udhëhequr nga Rama, duket se nuk ka shans që kjo të ndodhë, pasi një sërë dështimesh edhe në raport me detyrimet karshi Brukselit kanë kushtëzuar procesin. Mjaft të përmendim dështimin për miratimin dhe zbatimin e direktivave dhe rregulloreve të BE-së për energjinë dhe vendimin në lidhje me këtë të Ministerialit të Energjisë së BE-së ku Shqipëria tashmë rrezikon përjashtimin nga Traktati i Energjisë apo hetimin e OLAF-it dhe ndëshkimin për fondet e keqdrejtuara (apo më saktë të përlara) të IPARD-it i cili e ka dëmtuar edhe më tepër një sektor që zë një përqindje të konsiderueshme të PBB-së dhe ushqen mijëra familje fermerësh të ndershëm shqiptarë. Ndërkohë që fermerët në mbarë BE-në janë ngritur në revoltë për drejtimin e politikave të përbashkëta bujqësore që kanë cënuar disi sigurinë e tyre, fermerët tanë përvec ndonjë proteste sporadike, kanë zgjedhur mesa duket të largohen nga fshati drejt metropolit apo larg në emigrim.
Por vëmendja ndaj rajonit është jo vetëm në kuadër të fazave të tyre të integrimit në Bashkimin Evropian dhe vëmendjen që merr nga Brukseli rajoni që prej dekadash është konsideruar si “kopshti i pasëm” i shtëpisë së BE-së. Kthimi i vëmendjes nga Washingtoni drejt rajonit përmes “Kapitullit F për Demokracinë dhe Prosperitetin e Ballkanit Perëndimor” në ligjin vjetor të mbrotjes së SHBA- NDAA 2026 ligjin vjetor të mbrojtjes së SHBA, ku Ballkani Perëndimor trajtohet si një hapësirë ku demokracia, korrupsioni, media, ekonomia dhe siguria kibernetike shihen si pjesë e të njëjtit problem strategjik, është një tjetër dritë shprese se mungesës së llogaridhënies nga autokratët e regjimeve klienteliste në rajon i ka ardhur fundi.
Përsa i përket ngjarjeve kryesore përqark globit, bota pa disa konflikte të vazhdueshme për të disatin vit si konflikti në Gaza, apo lufta Rusi-Ukrainë. Ndërsa për rastin e parë, plani i presidentit Trump me 20 pika duket se i ka dhënë një kornizë armëpushimi dhe mundësie të prekshme për një zgjidhje sado të dhimbshme të përkrahur nga shumica e shteteve të botës, plani i ri po 20-pikësh i dakordësuar së fundmi mes SHBA-së dhe Ukrainës pret të marrë miratimin e Federatës Ruse për të zgjidhur një konflikt thuajse 4-vjeçar, t’i jepte fund gjakderdhjes dhe humbjes së jetëve të çmuara njerëzore në konfliktin më të gjatë ndër-shtetëror në kontinentin evropian qysh prej luftës së dytë botërore.
Njëzet pikat e dakordësuara në planin e ri të paqes mes SHBA dhe Ukrainës dhe që pritet t’i propozohen zyrtarisht Rusisë janë një rrugëzgjidhje që do t’i hapte rrugën sigurimit të kufijve të jashtëm të BE-së, integrimit të Ukrainës në BE dhe rindërtimit të shpejtë të saj, garancive të sigurisë kryesisht nga SHBA por edhe nga BE, forcimit afatgjatë të marrëdhënies transatlantike brenda NATOs pavarësisht luhatjeve të muajve të fundit, si dhe krijimin e një klime besimi të domosdoshme për paqe afatgjatë dhe siguri rajonale.
Viti që po lëmë pas ka shenjuar dhe kriza të tjera që kanë prekur dhe disa nga arteriet kryesore të transportit, ka vështirësuar tregtinë botërore përmes bllokimeve të njëanshme, sanksioneve dhe tarifave, ka tjetërsuar dhe vështirësuar tregun e punës edhe për shkak të shpërthimit të investimeve në inteligjencë artificiale. Që një pjesë e mirë e parashikuesve e paralajmëron edhe një flluskë të mundshme përgjatë vitit që vjen dhe që ndeshet aktualisht me mungesë burimesh si tokë, ujë dhe energji.
Gjithashtu viti që po lëmë pas ka thelluar si kurrë më parë polarizimin socio-ekonomik me një hendek financiar që ndoshta nuk do të rikuperohet më, ku shtatë kompanitë më të mëdha kanë kaluar në vlerë dhe disa nga shtetet me ekonominë më të madhe ndërkohë që ka ashpërsuar dhe klimën politike në mbarë globin. Një vit që po rithekson nevojën e rikrijimit të sferave të influencës dhe që flet përherë e më tepër me gjuhën e diktatit të fuqisë dhe interesave shtetërore, siç në fakt ka qenë trajektorja e pjesës më të madhe të historisë politike njerëzore pavarësisht iluzionit të periudhave aftashkurtra pas luftërave botërore, qoftë asaj të parë, të dytë apo luftës së ftohtë. Një vit që ka theksuar gjithashtu nevojën për stabilitet çka e demonstron edhe rritja e pabesueshme e çmimit të arit, argjendit apo të patundshemeve në nivel global ndërkohë që ka shenjuar njëherazi edhe humbjet më të mëdha nga krimi kibernetik financiar që ka synuar kryesisht portofolet kripto.
Një zile paralajmëruese kjo dhe për nxitimin e politikanëve këtejpari që bëjnë thirrje të nxituara për fundin e cash-it në ekonomi ndërkohë që të dhënat e shqiptarëve duke nisur nga e-albania dhe akshi si gardian, janë dhunuar si kurrë më parë.
Albania
Elozhi i kujtesës
nga Mira Meksi Shkrimtare
Shënime mbi romanin ‘Engram’të Brunilda Zllamit
Shpesh kam thënë se për t’u mirëdrejtuar në xhunglën ngalakeqe të botimeve të sotme letrare, duhet feneri i filozofit cinik Diogjenit. Ndërsa ai kërkonte ‘njeriun’, sot kërkohet ‘libri letrar’. As me këtë fener në dorë nuk është e lehtë të gjendet. Mbetesh gjembaçve dhe drizave të botimit të gjithkujt që, me mendjelehtësi fëmijërore, a me shpresë se do të bëhet i pavdekshëm, i futet mjeshtërisë së tejvështirë të shkrimësisë, pa patur as më të voglën përgatitje, dhe pa asnjë grimcë talenti. Rezultati është një tmerr i vërtetë, i cili jo vetëm e ka qorollisur lexuesin, që po thyen këmbët hendekëve të librave të shkruar tmerrësisht keq, duke ia neveritur letërsinë shqipe, por edhe po dëmton rëndë gjuhën shqipe.
Në këtë panoramë të zezë të letërsisë së sotme shqipe, ka sigurisht libra të shkruar shumë mirë dhe mirë, që feksin si dritëza në errëtinë e kësaj panorama, dhe që japin shpresë për të ardhmen e letërsisë së gjuhës sonë. Ndër këto të pakta drita, për mua, është edhe romani më i fundit i shkrimtares së njohur Brunilda Zllami, Engram. Romani është realist, siç janë në përgjithësi romanet e kësaj autoreje, me elementë të shumtë dhe të spikatur të romanit psikologjik. Trajton tema, ngjarje, probleme dhe plagë të shoqërisë së sotme shqiptare, por edhe më gjerë – probleme që prekin vetë Njeriun.
Janë përsiatje mbi marrëdhëniet prind-fëmijë, mbi botë që nuk afrohen, përkundrazi: një baba që mundohet të formësojë jetën e të birit në çdo aspekt, sikur të ishte jeta e tij, apo ajo pjesë e jetës së tij që e kish dëshëruar pa e arritur dot kurrë. Duke e damkosur kësisoj jetën e të birit me fatkeqësi.
Janë përsiatje mbi hipokrizinë njerëzore, arrivizmin, moralin e nëpërkëmbur, etjen e shfrenuar për pushtet, për para- fëlligështia e njeriut e ngritur në lartësinë e vlerës në shoqërinë moderne shqiptare.
Janë përsiatje mbi dashurinë, të gjitha llojet e dashurisë: dashuritë e pamundura, të rrezikuara, dashuritë e zhbëra, ato të pavërteta, dashuritë e helmëta, dashuritë jetëshkurtra, dhe ato që lënë gjurmë të pashlyeshme në shpirt. Dashuritë që të shpëtojnë jetën dhe ato që të vrasin…
Janë përisatje mbi pendesën: ‘Pendimet janë të rënda. Si gurë të çrregullt futur në një trastë që je i detyruar ta mbash në supe…..Pendimet janë të hidhura. Si lot që nuk ke derdhur, si fjalë që s’kanë buruar prej teje, si ofshama që i ke mbytur brenda’.( Engram)
Janë përsiatje mbi përballjen e njeriut me sëmundjen, me pafuqinë, me bjerrjen e trupit dhe shpirtit, me humbjen e Kujtesës. Me keq se vetë vdekja.
Janë përsiatje mbi vetsakrifikimin për të mbrojtur me vdekje dashurinë që zhbëhet nga sëmundja.
Mjeshtre e zhbirimit të psikës njerëzore, Zllami prek tejzat e trurit, pret me bisturi, rrëmon lëndën gri për të gjetur djepin, skutën, matricën e Kujtesës. Engramin. ‘ Ku jetojnë kujtimet? Në mendje, shpirt, pafundësi? Janë vetëm pjesë e qenies sonë, apo një pjesëz e koshiencës universale? Çfarë është njeriu pa kujtime?’. ‘Çfarë janë engramët? Pyet autorja dhe përgjigja vjen: ‘Janë vendi ku ruhen kujtimet’( Engram)
Personazhet në roman janë të shumtë, gjallojnë në Londër dhe Tiranë. Autorja përdor një strukturë që ka dalë të jetë e suksesshme në romanet e saj: kapituj sërë-sërë ndërtojnë secili nga një personazh, të ri gjithsaherë, si rrezet e një dielli, që konvergojnë në diell, pra në një pikë – arena ku bashkëveprojnë me njëri-tjetrin.

Pjesa më e madhe e ngjarjeve rrëfehet në retrospektivë, me anë të kujtesës a kujtimeve. Pjesët onirike të librit, sentencat e tij mbi gjithë sa thamë më sipër, janë të mrekullueshme.
Larg së qeni optimist, romani të mëkon gjithsesi me shpresën, të cilën e vendos pikërisht në ENGRAM:
‘Kujtimet janë vetja jonë. Ato na mbajnë kur mund të biem, na ngrenë kur rrëzohemi, na kthejnë në jetë kur vdesim. Të endura nga engramët si fatkrijueset e dikurshme…Janë ato që shkruhen me bojën e yjeve që na krijuan, e mbeten edhe kur jemi larguar’.( Engram)
Romani ‘Engram’, i pazakontë, i rrallë në llojin e vet, ka një gjuhë të pasur dhe fort të limuar, një shqipe të stolisur me metafora dhe fjalëformime elegante, e cila është në gjendje të mbartë dhe të na përçojë emocione të mëdha.
Albania
Anomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
Buxheti i shtetit po “vuan” nga një sëmundje kronike. Taksat mblidhen, por nuk shpenzohen. Të dhënat flasin se vetëm për muajin dhjetor fondet buxhetore që duhen të shpenzohen janë afro 2 miliardë euro. Ky përqendrim i fondeve vetëm në një muaj, për ekspertin e ekonomisë Albert Gajo, tregon anomali. I ftuar në emisionin E-ZONE, z. Gajo tha se shkaku kryesor vjen nga keqplanifikimi.
“Zbatimi i buxhetit me akte normative nuk është një tregues normal, është një tregues për një realitet anormal. Në plan të parë, kjo situatë vjen nga keqplanifikimi. Ministria përgjegjëse ka dëshmuar ndër vite që nuk ka mundur të planifikojë si duhet buxhetin, çka do të thotë se po ia lëmë rastësisë dhe, në varësi të asaj që sjell koha, hartojmë aktet normative. Kjo nuk është e shëndetshme ekonomikisht” – tha Gajo.
Gjatë kësaj jave, qeveria me aktin e katërt normativ ndryshoi sërish buxhetin. Në fokus ishte ndarja e një bonusi prej 15 mijë lekësh për familjet në nevojë.
Paralelisht, përveç bonusit, pati edhe një rishpërndarje të fondeve, ku një fond i konsiderueshëm i pashpenzuar kaloi në llogarinë e posaçme të hapur pranë Bankës së Shqipërisë për skemën e pensioneve.
“Pas keqplanifikimit, një tjetër arsye pse jemi në këtë situatë është edhe aftësia e administratës publike për të zbatuar në kohë zërin e investimeve. Vonesat në lidhje me realizimin e investimeve publike lidhen edhe me mungesën e profesionalizmit të stafit në agjencitë publike. Jemi një vend që po kërkojmë të hyjmë në BE, por nuk po i përdorim si duhet fondet tona të brendshme, ndërkohë që duhet edhe të përthithim ndihma fondesh nga BE-ja” – tha Gajo.
Eksperti Gajo thotë më tej se bonuset janë një politikë e paqëndrueshme, pra individët nuk mund të bëjnë dot parashikime të shpenzimeve, pasi nuk kanë qartësi. Ndaj, një praktikë e tillë, edhe pse e domosdoshme për familjet në nevojë, nuk është e këshillueshme të zhvillohet në mënyrë rastësore.
-
Albania2 days agoShqiptari në Britani shpëton nga deportimi pasi “partnerja nuk i flet shqip”
-
Albania9 hours agoVIDEO/ Protesta në Vlorë për mungesën e ujit, qytetarët futen në teatrin “Petro Marko” dhe ndërpresin mbrëmjen gala të bashkisë
-
Albania9 hours agoAnomalia e buxhetit, 2 miliardë euro shpenzime në dhjetor
-
UK1 day agoRrëzohet aeroplani në Britani, alarm në aeroportin Southend në Londër
-
Albania10 hours ago“Katolikët monitoroheshin, myslimanët përgatitnin ushqimet për ta” – si festoheshin Krishtlindjet në komunizëm në Shqipëri
-
UK8 hours ago
Princi William dhe Kate Middleton vendosën vijë sigurie 9.6km rreth rezidencës së tyre të re, reagojnë banorët e zonës: Masa të tepruara dhe pa konsultim
-
Bota9 hours agoPresidenti i Ukrainës, Zelensky mbërrin në Mar-a-Lago, takohet me presidentin Trump
-
Kosova10 hours agoDalin Exit Poll-et e para, Vetëvendosja rikonfirmohet forcë e parë, Hamza 23.9 përqind, Abdixhiku 16.1 përqind
