Rritja enorme e çmimeve të naftës dhe produkteve bazike ushqimore ka ndikuar që shqiptarët të protestojnë tash e disa ditë. Sheshet e Tiranës, Shkodrës, Korçës e qyteteve tjera ishin të mbushura me protestues, të cilët i kërkonin qeverisë të ndërhynte për të ulur çmimet e larta që kanë rënduar koston e jetesës së shqiptarëve në muajt e fundit.
I ashpër në kundërshtimin e tyre ka qenë Kryeministri Edi Rama duke i quajtur protestuesit si ‘turp për kombin’ e madje duke i etiketuar si nisma që i shpërbejnë Rusisë. Për këtë të fundit, i pari i Qeverisë së Shqipërisë tha se është pyetur edhe në Bruskel.
“Më ka ardhur një mesazh nga Brukseli ku thotë: “Po ndjekim me shqetësim zhvillimet në Tiranë, a keni informacion kush po qëndron pas këtyre protestave” – thuhej nga Rama.
Përkundër kritikës qeveritare, edhe këtë të marte qindra protestues marshuan nëpër sheshet e Tiranës kërkesat që zëri i tyre të merret parasysh. Madje ata kundërshtuan masat e fundit të qeverisë të propozuara në kuadër të ‘’Paketës së Rezistencës Sociale” duke i konsideruar si të pamjaftueshme për tejkalimin e vështirësive ekonomike të qytetarëve.
Gjatë protestës, qytetarët e revoltuar shpalosën kërkesat e tyre kundrejt qeverisë duke i dhënë ultimatum për plotësimin e tyre deri të shtunën e kësaj jave.
“Masa per uljen e barrës fiskale dhe përcaktimit të marxhit të fitimit për përballimin e krizës dhe garantimin e qëndrueshmërisë së çmimeve: Marrje e masave në formë të alternuar si: pezullim i taksës së qarkullimit dhe i taksës së karbonit, me qëllim afrimin e çmimit të karburantit me vendet e rajonit’’ – thuhet në kërkesën e parë dhe që sipas tyre do ulte dhe do kontrollonte cmimet e derivateve të naftës.
Protestuesit, po ashtu, i kërkuan qeverisë Rama të merr masa edhe për produktet e shportës.
‘’Zerim i përkohshëm i TVSH-së produkteve të shportës (dhe ulja në masen 10% në vijim) dhe mbikëqyrje e periodike rigoroze e tregut për reflektimin përkatës në çmime. Përcaktimi i përkohshëm i marzhit të fitimit në sektorin e hidrokarbureve dhe transparencë me publikun’’, insistojnë protestuesit.
Kërkesat tjera të protestuesve përfshinë masat për mirëfunksionimin e tregut, mbështetje të fondit për përballimin e krizës, mbikëqyrje dhe raportim periodik në Kuvendin e Shqipërisë nga Autoriteti i Konkurrencës, heqja e taksës së qarkullimit dhe pezullim të barrës fiskale etj.
Një nga protestuesit e arrestuar ditë më parë në Tiranë, para masës së njerëzve, tha se ‘’I bëj thirrje të gjithë studentëve të mbushin sheshet për të drejtat e tyre, i bëj thirrje qytetarëve të dalin në protest dhe mos të frikësohen nga regjimi i Edi Ramës, pasi tashmë kemi arritur një fitore, por gjërat nuk janë aty ku duhen. Kur jam arrestuar nafta ishte 290 lekë dhe kryeministri tha se vetëm do të rritej, ditën kur dola nafta ishte 217 lekë, çka tregon që protesta ishte e drejtë dhe turpi ishte i Edi Ramës”, tha protestuesi.
Protestuesit kanë paralajmëruar që në rast të mos aprovimti të kërkesave të tyre nga Qeveria Rama, ato do të vazhdojnë protestimin në rrugë.