Filipinasja 65-vjeçare është viktima e fundit e sulmeve anti aziatike në Shtetet e Bashkuara. Sulmi ndodhi në Manhattan të New Yorkut, para një ndërtese luksoze.
Shumë aziatikë, veçanërisht të moshuarit, janë vënë në shënjestër dhe sulmuar që nga fillimi i pandemisë. Gjashtë gra aziatike u vranë vetëm dy javë më parë në një të shtënë në Atlanta.
Sipas Departamentit të Policisë së Qytetit të New Yorkut, filipinasja ishte duke shkuar në kishë dhe në mes të ditës një burrë iu afrua asaj rastësisht, duke i bërtitur, “Q…, nuk bën pjesë këtu”, e shtyu atë në dysheme dhe e goditi në kokë.
Edhe pse po ndodhte në mes të ditës, askush nuk iu afrua dhe nuk e ndihmoi gruan që u rrah brutalisht.
Në një video të kamerës së vëzhgimit të publikuar në Instagram, mund të shihet një burrë që thjesht shikon gjithçka nga dyqani, dhe më vonë një roje sigurie nga i njëjti dyqan vjen dhe mbyll derën në vend që të ndihmojë gruan e shtrirë.