Një nga personat e arrestuar për grabitjen e parave në Rinas në prill të vitit të shkuar, ka ndërruar jetë në spitalin e Traumës në Tiranë. Ragip Hajdini, 50 vjeç, ishte shtruar prej 4 ditësh në spital sepse vuante nga një sëmundje e rëndë.
Avokati i tij, Baftjar Rusi, deklaroi se do të bëhet kallëzim penal për Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe burgut 302, për shkak se sipas familjarëve, institucioni i burgjeve nuk është kujdesur fare për shqetësimet shëndetësore të Hajdinit.
Sipas tij, një masë e madhe tumorale i është hequr nga trupi, por ai nuk arriti t’i mbijetojë, pasi sëmundja është trajtuar me vonesë, duke e agravuar atë.
“Përpara të gjithave jemi njerëz dhe tek ne ka humbur sensi i të qenit njeri. Ai nuk është trajtuar si njeri. Do përgatisim një kallëzim ndaj burgut 302 dhe drejtorisë së burgjeve. Të afërmit janë të revoltuar pasi deri në momentin që burgu 302 është ngritur në revoltë, atij nuk i është dhënë ndihma, nuk është konstatuar shkaku pse ai njeri vuante dhe pse kërkonte me ngulm t’i nënshtrohej vizitave sepse kishte dhimbje të rënda në shpatull. Për 2 muaj është trajtuar në mënyrën më çnjerëzore dhe më të paimagjinueshme. Pasi u ngritën në protestë të tërë e çuan në spitalin e traumës. Kur e çuan atje sëmundja kishte avancuar. Kufijtë ishin të mbyllur për shkak të pandemisë dhe të afërmit nuk mund të vinin. U vendos të bëhej ndërhyrja kirurgjikale. U hap në bark pasi kishte një masë të madhe që i bllokonte të gjithë metabolizmin dhe funksionimin e organizmit. Pas hapjes i plasën të gjitha lëngjet, likidet në sipërfaqe të trupit. Nuk i funksionuan më organet”, deklaroi avokati.
Në lidhje me grabitjen e 9 prillit, Rusi thotë se Ragip Hajdini nuk e ka pranuar asnjëherë të ketë pasur lidhje.
I njohur me pseudonimin ‘Daja’ nga Kosova, emri i tij u zbulua pas dëshmisë së të penduarit, Alkond Bengas, i cili përmendi para hetuesve përfshirjen e një personi nga Kosova me pseudonimin ‘Daja’. Arrestimi i tij u bë më 26 prill te ‘Shkëmbi i Kavajës’ në një pronë të tijën.
Ai akuzohej si pjesë e grupit që bënë grabitjen në Rinas dhe për strehimin e kreut të bandës Admir Murataj para se të vritej pas grabitjes në Rinas, pasi ishte në kërkim për grabitjet e tjera në Shqipëri dhe ato në Greqi.