Një gjykatë federale në Los Anxhelos i hoqi dje licencën njërit prej dy mjekëve të akuzuar për vdekjen nga mbidoza me ketaminë të aktorit Matthew Perry.
Sipas mediave të huaja, 54-vjeçari Mark Chavez pranoi një marrëveshje me prokurorët dhe pritet të deklarohet fajtor për ndihmën në furnizimin e paligjshëm të ketaminës.
Kujtojmë se vdekja e Matthew Perry – i cili ishte jashtëzakonisht i popullarizuar si ‘Chandler’ në serialin televiziv ‘Friends’ – në tetor të vitit 2023 tronditi Hollywood-in.
Ndërkohë një mjek tjetër, Salvador Placencia, akuzohet se ka blerë ketaminë nga Chavez për t’ia shitur me një çmim shumë më të lartë Matthew Perry. Jasvin Sangha, i njohur me nofkën “mbretëresha e ketaminës”, akuzohet se ka furnizuar dozën që vrau aktorin 54-vjeçar.
Gjyqi i tyre është caktuar për në tetor. Deri atëherë, Mark Chavez pritet të pranojë fajin për të shmangur gjykimin. Përmes avokatit të tij, ai tha se ishte i “penduar” për veprimin e tij. “Klienti im pranon përgjegjësinë (e tij). Ai po bën gjithçka që mundet për të bashkëpunuar… dhe është jashtëzakonisht i penduar”, u tha Matt Binninger gazetarëve jashtë gjykatës.
Ky anestetik, ndonjëherë i abuzuar për stimulim ose eufori, fillimisht u mor nga aktori nën mbikëqyrje si pjesë e seancave për trajtimin e depresionit. Por kur iu mohua rritja e dozës, Matthew Perry u kthye diku tjetër.
Një zyrtar i DEA i përshkroi Placencia dhe Chavez si mjekë “mashtrues” që “shkelën betimin e Hipokratit”.