Zhvilluesi i pajisjeve për video-lojërat e famshme të Nintendo-s, Masayuki Uemura, ka vdekur në moshën 78-vjeçare. Lajmin e bëri të ditur universiteti ku ai ligjëronte.
Uemura, udhëheqësi kryesor i zhvillimit të kasetave me video-lojëra, vdiq të hënën, njoftoi Universiteti Ritsumeikan. Shkaktari i vdekjes së tij nuk u bë i ditur, shkruan Associated Press.
I lindur në Tokio në vitin 1943, Uemura e studioi inxhinierinë elektrike në Institutin Chiba për Teknologji dhe iu bashkua kompanisë Nintendo në vitin 1971.
Uemura-s i ishte caktuar si detyrë nga kryetari i atëhershëm i kompanisë, Hiroshi Yamauchi, më 1981 që të zhvillonte kaseta për lojërat si “Donkey Kong”, që ishte hit i madh në Shtetet e Bashkuara në atë periudhë.
I ashtuquajturi sistem i lojërave “Famicom” bëri goditje në tregun japonez më 1983, duke ua mundësuar përdoruesve përdorimin e lojërave të popullarizuara në formë të kasetave.
Sistemi i Zbavitjes Nintendo u përhap në Shtetet e Bashkuara më 1985 dhe më pas u bë senzacion botëror me mbi 60 milionë kaseta të shitura në nivel global, duke i dhënë famë botërore një kompanie që më parë prodhonte lodra dhe letra tradicionale japoneze për lojë.