Një shtetas i Shteteve të Bashkuara është bërë i huaji i parë që ka vdekur nga koronavirusi, ndërsa një japonez gjithashtu vdiq pas simptomave të koronavirusit.
Zyrtarët kinezë njoftuan se numri i personave të vdekur ka shkuar 724, ndërsa 86 viktima u shënuan vetëm në 24 orët e fundit. Shifra pritet ta kalojë numrin e vdekjeve nga virusi SARS në vitet 2002-2003, kur kishin vdekur 774 njerëz.
Amerikani 60-vjeçar vdiq në spitalin Jinyintan në Wuhan, bëri të ditur një zëdhënës i ambasadës së Shteteve të Bashkuara. “Familjes ia shprehim ngushëllimet për këtë humbje. Për shkak të respektit për privatësinë e familjes, nuk kemi komente të tjera”, tha ai.
Një shtetas japonez u dërgua në spital me pneumoni në Wuhan dhe vdiq më vonë pas simptomave të koronavirusit. Për shkak të vështirësive për t’ia gjetur diagnozën, zyrtarët shëndetësorë e cilësuan si vdekje nga pneumonia virale.
Afër 35 mijë persona janë infektuar deri më tash nga koronavirusi dhe numri pritet të rritet në ditët në vijim, shkruan “The Guardian”.